Peci: Duhet t’i vijë fundi tregtisë e therjeve ilegale të bagëtive në tregun e automjeteve

(Lajm i përditësuar)

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me drejtorin e AUV-it, Flamur Kadriu dhe inspektorët veterinarë vizitoi sot hapësirat e tregut të automjeteve në Prishtinë, me ç’rast, deklaroi se duhet t’i vijë fundi tregtisë dhe therjeve ilegale të bagëtive në atë treg.

Ai i ftoi komunat që të përmbushin detyrimin ligjor që u përket në këtë aspekt.

Ministri Peci tha se veprimtaritë e tilla pa kushte higjenike rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

“Ka qenë interesim i imi të bashkëbisedoj me të gjithë ata që frekuentojnë këto hapësira për shitjen dhe therrjen e bagëtive që së bashku të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që këto veprime të mos përsëriten. Do të angazhohem që së bashku me Kryetarët e Komunave ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët pasi që pamjet e therjeve e gjakosjeve në hapësira publike buzë rrugëve nuk u përkasin shoqërive Evropiane. Kësaj problematike jam i interesuar ti bëj zgjidhjen me të mirë pa e dëmtuar asnjë grup shoqërorë. Nga kryetarët e komunave do të kërkoj të bëhen veprimet për caktim lokacionesh, regjistrim nga komuna, pastaj titullari të regjistrohet si subjekt në ARBK- MINT dhe pas këtyre hapave ta finalizoj edhe regjistrimin apo licencimin në AUV”, tha Peci, duke shtuar tutje se pas kësaj këto lokacione do të hynin në planet nacionale për kontrolla zyrtare të AUV-së, ku brenda tyre do të lejohej edhe tregtimi i produkteve ushqimore në hapësira të veçanta duke respektuar kushtet që duhet t’i plotësojnë.

Nga veprimet e tilla pa asnjë kontrollë higjienike ekziston edhe një numër i madh i faktorëve mikrobiologjikë që e infekton/kontaminon mishin që nxirret nga shpezët të cilat therren në kushte jo-higjienike duke ju ekspozuar pluhurit, tymit të automjeteve dhe shumë papastërtive të tjera. Ministria potencoi se si nga ata që tregtojnë e deri te blerësit duhet të kuptohet se ky lloj i të bërit tregti është i rrezikshëm për shëndetin veterinarë (fondin e shpezëve), por mbi të gjitha për shëndetin njerëzor.

MBPZhR shtoi se është e përkushtuar në ruatjen e shëndetit dhe mirëqënies së qytetarëve.

Inspektorati dhe Policia me aksion në afërsi të Tregut të veturave

Inspektorati në Prishtinë ka zhvilluar një aksion të dielën për lirimin e hapësirave publike në rrugët në afërsi të Tregut të veturave.

Drejtoria e Inspektoratit në këtë komunë e ka cilësuar aksion të madh këtë zhvillim, i cili ka nisur në orët e hershme të mëngjesit.

Ky aksion është zhvilluar me qëllim që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve nga therja e shpezëve në kushte të papërshtatshme.

“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit Drejtoria e Inspektoratit – Komuna e Prishtinës ka zhvilluar një aksion i madh në koordinim edhe me policinë e Kosovës me qëllim të lirimit të hapësirave publike në rrugët në afërsi të Tregut të veturave, zonë në të cilën përveç papastërtisë që krijohet zakonisht, rrezikohet edhe shëndeti i qytetarëve nga therja (prerja) e shpezëve në kushte totalisht të papërshtatshme”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit në Prishtinë.

Back to top button