Peci: Kurti nuk e “krijoi” ushtrinë, por ai e gjeti atë të gatshme si realitet ligjor dhe faktik

Shkruan Lulzim Peci

 

Kurti paska deklaruar dje ne nje tubim zgjedhor në Zvicër se “më shumë armatim kishte në odat e Kosovës sesa në kazermat e ushtrisë” para se ai të vinte në pushtet. Fjali bukur e mirë për folklorizëm, të cilës i dha melos me një këngë patetike edhe këngëtarja dhe kandidatja për deputete e VV-së, Edona Llalloshi.

Por, kjo fjali në thelb është një tentim manipulim i të kaluarës dhe i tanishmës.

Sipas një studimi të UNDP-së (2003), në Kosovë në duart e qytetarëve vlerësohej se kishte rreth 330,000 – 420,000 armë të lehta dhe të vogla. (Kaq armë të këtyre llojeve nuk i ka as sot FSK, pasi nuk ka nevojë për ato). Ky posedim i madh u arsyetua atëherë me të kaluarën e përgjakshme dhe ndjenjën e pasigurisë së qytetarëve për të ardhmen. Ka mundësi që për këtë arsye na hynë edhe “odat” si “depo të armatimit” në frazeologjinë e kësaj fushate zgjedhore të VV-së.

Mirëpo, në ndërkohë, shumica e këtyre armëve janë vënë nën kontroll ligjor dhe një pjesë e madhe e qytetarëve i kanë dorëzuar ose legalizuar përmes mekanizmave të Policisë së Kosovës. Kjo është një arritur tejet e madhe në shtetndërtimin e Kosovës dhe sigurisë të qytetarëve të saj.

Në anën tjetër, FSK u shndërrua me ligj në forcë mbrojtëse me karakter ushtarak më 14 dhjetor 2018, në koordinim me partnerin tonë strategjik, SHBA-të, edhe pse kishte hezitime nga një numër jo i vogël i vendeve të NATO-s. Ky proces u finalizua politikisht gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, i cili i ka meritat e pamohueshme për këtë të arritur madhore.

Pra, Kurti nuk e “krijoi” ushtrinë, por ai e gjeti atë të gatshme si realitet ligjor dhe faktik në tavolinën e qeverisjes se tij, të cilën ai e kishte detyrim ligjor edhe ta armatoste në bazë të dinamikës paraprakisht të dakorduar me SHBA-të. Kjo dinamikë e armatimit dhe zhvillimit të FSK-së u përshpejtua pas agresionit rus në Ukrainë, mirëpo VV nuk heziton ta shndërroj ate në marketing politik.

Ushtria nuk ndërtohet vetëm me armë pa pasur dije profesionale. Ajo ndërtohet me kuadra të shkolluara, me doktrinë bashkëkohore dhe organizim profesional. Fatmirësisht, shumë kuadra të FSK-së u formuan në shkolla elitare perëndimore para se të vinte faza e armatimit. Jo rastësisht edhe kjo e arritur e mëhershme tentohet të lihet në hije nga VV, dhe theksi mbahet te armatimi i FSK-së.

Mirëpo, për shtetet e vogla dhe të dobëta çfarë është Kosova, edhe armatosja optimale është e pamjaftueshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, pa aleatë të sigurtë dhe të fuqishëm.
Në këtë kontekst, nuk duhen harruar në mes tjerash as gabimet e panevojshme (si epizodi i ngjyrosjes së autoblindave), as tensionet që çuan deri te përjashtimi i FSK-së nga Defender 2023, e as rikthimi te zotimet e detyrueshme te v.2013 për mos-angazhim në veri pa lejen e KFOR-it, për të shmangur përplasjet eventuale me NATO-n.

Mirëpo sot, situata është ndryshe. Derisa Kurti dhe qeveria e tij kujdestare po sanksionohet nga SHBA-të, FSK-ja po lehet jashtë tyre. Krejtë kjo pasi FSK është dëshmuar si institucion dhe partner serioz i Washingtonit, me kuadra të përgatitura, që nuk bëhet instrument i aventurave politike të VV-së, apo e cilësdo partie politike të Kosovës. Megjithate, edhe ky partneritet mund ta ketë limitin e tij, nëse vazhdohet me këtë sjellje, pasi fundi i fundit, në vendet demokratike, ushtria i përgjigjet qeverisë.

Prandaj, të thuash “më shumë armatim në oda se në kazerma” tregon se sa pak respekt ka për shtetndërtimin dhe për ushtrinë profesionale. Zëvendësimi i një detyrimi ligjor me fraza elektorale, që veç sa ngjallin emocione te ata që nuk e kuptojnë se çfarë është ushtria profesionale dhe çfarë janë aleancat, në rastin më të mirë është papërgjegjësi politike. Krejt kjo nuk i sjell asgjë të mirë as vendit dhe as FSK-së.

Back to top button