Peci po intervistohet rreth dyshimeve për fabrikën për mbetje shtazore

(Lajm i përditësuar)


Peci po intervistohet rreth dyshimeve për fabrikën për mbetje shtazore

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar nga organet e hetuesisë, pas aksionit të Policisë të mbajtur të martën për çështjen e tenderit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore.

Intervistimin e tij për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.


Përfundon bastisja në Ministrinë e Bujqësisë konfiskohen dokumente

Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë, ku janë konfiskuar dokumente.  Prokuroria po heton Ministrinë e Bujqësisë lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për prodhimin e nënproduketeve shtazore.


Bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, Haxhiu: Plan për ta dëmtuar Pecin dhe Qeverinë Kurti

Lidhur me bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, ka folur ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka deklaruar se beson që ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë punë të jashtëzakonshme, derisa u shprehur se “ka plan për të dëmtuar Pecin dhe Qeverinë Kurti”.

“Jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme sa ka qenë dhe sa vazhdon të jetë. S’ka asgjë për të fshehur, s’ka pasur asnjë ndërhyrje nga Peci. Kemi pasur rastin të diskutojmë mbi këtë çështje, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për të dëmtuar ministrin Peci, për të dëmtuar Qeverinë Kurti. S’ka asgjë për të fshehur, s’ka asnjë ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet”, ka thënë Haxhiu për media pas dështimit të seancës së 22-të për konstituim të Kuvendit.


Prokurori Shala deklarohet për bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë

Prokurori i Prokurorisë Speciale Admir Shala u deklarua lidhur me bastisjet që po bëhen në Ministrinë e Bujqësisë.

Ai para mediave tha se  Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për prodhimin e nënproduketeve shtazore.

“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet  për dhënien me qera të kësaj fabrike, jemi në fazën e hetimit jemi duke i zhvilluar bastisjet dhe hetimet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.”, tha Shala,.

I njëjti më tej shtoi se bastisjet po zhvillohen në katër lokacione.

“Po ashtu me autorizimin tonë Policia së bashku me ne është duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të sigurimi të informacioneve të nevojshme dhe drejt zbardhjes së rastit konkret. Për çështjet më në detaje  nuk mund të lëshohemi për momentit dhe  jemi në fazën e hetimeve. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione.

Dhe për çdo veprim tjetër aq sa na lejohet do të njoftojmë përmes zëdhënëses së Prokurorisë Speciale. Janë duke u bastisur, Ministria e Bujqësisë, Agjencia për zhvillim bujqësorë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe lokacioni i Kompanisë përfituese e kontratë.”, u shpreh ai.


Bastisja në Ministrinë e Bujqësisë, deklarohet policia

Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë.

Lidhur me këtë aksion, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i tha portalit rtv21.tv se Policia e Kosovës me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, lidhur mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai shtoi se pas përfundimit të operacionit policor do të bëhen publike informacione shtesë.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani. /21Media


Prokuroria deklarohet për bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë

Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, e cila tha se kjo bastisje po zhvillohet për dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore, teksa shtoi se janë duke u bastisur katër lokacione.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, tha Luta. /21Media


Policia po bastis Ministrinë e Bujqësisë

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, saktësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në këtë ministri.

Lidhur me këtë portali rtv21.tv ka dërguar pyetje në polici, por që ende nuk ka marrë përgjigje./21Media

Back to top button