Për 24 orë raportohen pesë raste të dhunës në familje
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë në Policinë e Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.
Rastet e raportuara janë nga komunat: Prishtinë, Pejë, Skenderaj dhe Mitrovicë, nga të cilat shumica e tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit është raportuar se një çift prindërish ka pësuar dhunë fizike dhe psikike nga djali i tyre. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Gjatë ditës, në një rast tjetër në kryeqytet, një mashkull kosovar është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht nënën e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, kurse i dyshuari është ndalur me urdhër të prokurorit.
Në Pejë, policia ka arrestuar një burrë që ka kanosur dhe shqetësuar ish-bashkëshorten e tij. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe i njëjti do të hetohet në procedurë të rregullt.
Në Skenderaj, një femër është sulmuar fizikisht nga kunati i saj. Ajo ka marrë trajtim mjekësor dhe është dërguar në strehimore për siguri. I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.
Në Mitrovicë, policia ka arrestuar një mashkull pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje./21Media