Për çka akuzohej ish-prokurori që u gjet i vdekur në banesën e tij

Matjani u gjet sot i vdekur në banesën e tij

Agron Matjani akuzohej edhe se ia kishte lehtësuar akuzën ekzaminierit të patentë shofereve në Gjakovë, Luan Haxhishabanit. Sipas Prokurorisë Speciale në këtë rast Agron Matjani kishte ngritur aktakuzë vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare e cila dënohet deri në 5 vite burgim, ndërsa nuk kishte ngritur fare aktakuzë për marrje ryshfeti ndonëse ekzamineri kishte marrë shumën e të hollave nga kandidatët për t`ua kaluar testin teorik dhe me shkrim.

Ish-prokurori Agron Matjani kishte kërkuar nga gjykata t’i caktohej një avokat sipas detyrës zyrtare për shkak se kishte probleme shëndetësore, ishte i pa punë dhe baba i 4 fëmijëve.

Ish-prokurori Matjani po ashtu kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova për konflikt interesi. Prokurori tashmë i ndjerë, Agron Matjani po ashtu kishte hetuar dosjen për vrasjen Mark Kqirajt, për të cilën vrasje kishte pushuar hetimet kundër të dyshuarit Bekim Raja.

Në një proces gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Pejës, me rastin e elaborimit të motivit për vrasjen e Ferdinand Gjinit, prokurorja e rastit kishte bërë ndërlidhje edhe me vrasjen e Mark Kqirajt të cilën e kishte hetuar Prokurori Matjani.

Rast tjetër të cilin e kishte hetuar ish-prokurori Matjani është ai i vrasjes së dy vëllezërve në fshatin Plloqicë të Malishevës, pjesëtarit të FSK-së Shani Maloku dhe vëllait të tij Bahri Maloku.

Ish-prokurori, Agron Matjani, u gjet i vdekur ditën e sotme (05.12.2019) në banesën e tij në Prizren./kallxo

Back to top button