“Për Serbinë mos u mërzit, veç mos u korit”, këshilla e babait për Hashim Thaçin
Homazhe për babain e ish- presidentit Hashim Thaçi

(Lajm i përditësuar)
Gruaja e Edi Ramës në Skenderaj: Në këtë ditë të trishtuar, jam këtu me ty nëna Hyrë
Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen komemorative për Haxhi Thaçin tha se në këtë ditë të trishtuar është pranë nënës së Hashim Thaçit.
Ajo u shpreh gjithashtu se është aty, për të qëndruar pranë gjithë familjes Thaçi.
“Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me ty Nëna Hyrë, në radhë të parë sepse e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani, e posaçërisht nëna e një politikani. E kam përjetuar pranë nënës së Edit dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra”.
“E di dhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryjnë e nuk pushojnë erërat e forta, e përjetoi çdo ditë”, u shpreh tutje ajo.
Kryekuvendarja e Shqipërisë e quan padrejtësi njerëzore mungesën e Thaçit në varrimin e babait
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka marrë fjalën në mbledhjen komemorative për nder të Haxhi Thaçit.
Spirpoali fjalën e saj e ka nisur duke iu drejtuar ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se padrejtësisë politike e kombëtare të burgosjes së Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë sot i është shtuar edhe padrejtësia njerëzore dhe morale.
“Shumë i dashur Hashim që na mungon në këtë përcjellje të babait tënd, sepse padrejtësisë politike e kombëtare të burgosjes tënde dhe luftarëve të tjerë sot iu shtua një padrejtësi njerëzore e morale”, ka thënë ajo.
Endrit Thaçi me fjalë prekëse: Gjyshi çdo minutë priste që babi të ia hapte derën e spitalit
Djali i ish – presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi mbajti një fjalim prekës në mbledhjen komemorative për gjyshin e tij.
Endrit Thaçi pasi falënderoi të pranishmit për kujdesin dhe mbështetjen, tha se për gjyshin e tij, dhimbja për të birin dhe bashkëluftëtarët në Hagë ishte më me madhe se dhimbja e sëmundjes.
“Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzu përballë sëmundjeve, shpresa për ta ritakuar babin dhe bashkëluftëtarët e tij në Hagë ishte më e madhe se sa dhimbja e sëmundjeve, besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurt se sa aktakuza e padrejtë.”, tha Thaçi, përcjell portali rtv21.tv
Më tej ai tregoi se i ndjeri Haxhi Thaçi po priste me ditë të tëra që i biri, ish presidenti Hashim Thaçi ta vizitonte në spital.
“Në muajt e fundit çdo orë, çdo minutë priste që babi të ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa herë . Tri orë bashkëbisedim atë ditë iu bënë tri orët më të rëndësishme të jetës së tij, një bisedë babë e bir. Që të dy e kërkonin lirinë çlirimin dhe vdekjen e shpejtë të gjyshit e pashë në fytyrën e babit kur doli nga spitali. Gjyshi i mbijetoi të gjitha vuajteve, dhimbjeve nëpër të cilat kaluam si popull , por këto katër vite nu ki mbijetoi vuajtjeve dhe dhimbjes nga padrejtësia, një sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë , krenar dhe me dinjitet dhe siç thoshte shpesh gjyshi: me vdekë pa u koritë . Gjysh as sot nuk jemi koritë, fatkeqësisht babin nuk e lejuan të japë lamtumirën e fundit bashkë me ne sot , nuk e lejuan të ia gjuajë një grusht të dheut të Drenicës mbi varr , por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina. I madh dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi për ty gjysh. Miq dhe familjarë të pranishëm për ne gjyshi ishte kështjellë e pathyeshme e urtësisë dhe dashurisë.”, tha Thaçi.
Krasniqi zbulon një bisedë të Haxhi Thaçit me të birin, “Për Serbinë mos u mërzit, veç mos u korit”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në mbledhjen komemorative për Haxhi Thaçin zbuloi një bisedë të këtij të fundit, me të birin, Hashim Thaçin.
Ai tha se ato fjalë sot qëndrojnë si një parim udhëzues për të gjithë ata që e kuptojnë peshën e përgjegjësisë dhe çmimin e lirisë.
“Në një bisedë me birin e tij, Hashim Thaçin, pas një aksioni të vitit 1992, Haxhi Thaçi tha fjalë që sot qëndrojnë si një parim udhëzues për të gjithë ata që e kuptojnë peshën e përgjegjësisë dhe çmimin e lirisë. Me një mençuri të gdhendur nga përvoja e tradita, ai i kishte thënë birit “Biri im, e di që je futur thellë në punë të rënda, por ki kujdes, për veten, edhe më shumë për shokët e tu, për Serbinë mos u mërzit, veç mos u korit”, u shpreh tutje Krasniqi.
Nura: Haxhi Thaçi rezistoi deri sa shuajti mallin për ta parë djalin
Pas përfundimit të homazheve për Haxhi Thaçin, babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka ndarë një mesazh prekës për të ndjerin dhe momentet e fundit të tij.
“U përshëndetëm me përqafim të ndarë, bashkë me mallin që kishim për Hashimin dhe Burojën. Fatkeqësisht, ai atë ditë u rikthye të luftojë me vdekjen, por nuk u dorëzua. Rezistoi deri sa shuajti mallin për ta parë djalin. Pa djalin, i shtrëngoi dorën fort dhe mbylli sytë, i lehtësuar përgjithmonë, për t’u rikthyer sot dhe për ta shuajtur mallin tjetër,Burojën, me ajrin e pastër, lulet e bukura, në mesin e qindra e mijëra krushqve të lirisë”, tha Nura.
Varrimi i Haxhi Thaçit pritet të bëhet sot në ora 15:00 në fshatin Burojë, në prani të familjarëve, miqve dhe bashkëluftëtarëve të Hashim Thaçit.
Fillon mbledhja komemorative, mungojnë krerët e shtetit Osmani, Kurti, Konjufca
Ka filluar mbledhja komemorative për Haxhi Thaçin, babin e ish presidentit Hashim Thaçi.
Të pranishëm në këtë mbledhje janë krerët e PDK-së, kryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura familjarë, veteranë por mungojnë krerët e shtetit. Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca, raporton RTV21
Spiropali homazhe për babain e ish presidentit Thaçi
Kryetarja e Kuvendit te Shqipërise, Elisa Spiropali po merr pjesë në homazhet për babain e ish presidentit Hashim Thaçi.

Mungesa e Thaçit në varrimin e babait të vet, Krasniqi: E paarsyeshme dhe e papranueshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bëri homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit si dhe u nënshkrua në librin e zisë.
Babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, vdiq të dielën pasi për një kohë qëndroi i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje Hashim Thaçit që të marrë pjesë në varrimin e babait të vet.
Sipas Krasniqit, kjo është e padrejtë dhe e papranueshme.
“Është një humbje e cila bëhet edhe më rëndë sidomos për shkak të mungesës së presidentit Thaçi që nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në fund të jetës së bacës Haxhi ai e pati mundësinë ta shoh edhe njëherë por besoj që është krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme, dhe e paarsyeshme, mungesa e presidentit Thaçi sot në varrimin e babait të tij”, tha Krasniqi të martën pas homazheve në Skenderaj.
Homazhe kanë bërë edhe ish-bashkëpunëtorë të tjerë të Thaçit, ish-komandantë të UÇK-së, politikanë e qytetarë.
Hashim Thaçi vizitoi të enjten babain e vet në QKUK, me një leje nga Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës.
Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.
Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.
Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Fillojnë homazhet për babain e ish – presidentit Thaçi
Familja Thaçi nga Buroja ka hapur dyert për homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndërroi jetë më 16 mars.
Në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, ku po mbahen homazhet, që nga orët e para të mëngjesit kanë ardhur shumë qytetarë për të nderuar të ndjerin dhe për të shprehur ngushëllime familjes.
Në këtë ceremoni janë të pranishëm edhe familjarët e afërt, përfshirë bashkëshorten, djalin dhe nënën e të ndjerit.
Homazhet do të vazhdojnë deri në orën 12:00, pas së cilës do të mbahet mbledhja komemorative, ndërsa varrimi i Haxhi Thaçit do të bëhet në orën 15:00, në varrezat e fshatit Burojë, Skenderaj.