Për shkak të vdekjes së Elizabeth II, shtyhet ndeshja Rangers-Napoli

Ndeshja e raundit të dytë të Ligës së Kampionëve ndërmjet Glasgow Rangers dhe Napolit u zhvendos nga e marta në të mërkurën për shkak të kufizimeve logjistike të lidhura me vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, njoftoi sot UEFA.
Vendimi për të shtyrë këtë ndeshje të Grupit A për 24 orë u mor “për shkak të kufizimeve serioze të policisë dhe burimeve organizative që lidhen me zinë kombëtare” pas vdekjes së mbretëreshës, shpjegoi UEFA vendimin e saj.
Për të njëjtat arsye, tifozët e Napolit nuk do të mund ta shikojnë ndeshjen në stadium, shtoi UEFA, duke theksuar se më pas u vendos që në interes të drejtësisë, tifozët e Rangers gjithashtu nuk do të mund të udhëtonin në Itali për ndeshjen e dytë më 26 tetor.
“UEFA u bën thirrje tifozëve të të dy klubeve që të respektojnë këto rrethana të jashtëzakonshme dhe të mos shkojnë në këto udhëtime”, u bë e ditur në deklaratë.
Elizabeth II vdiq të enjten në Kalanë Balmoral në Skoci. Pas vdekjes së mbretëreshës 96-vjeçare, të gjitha ndeshjet e kampionatit skocez të planifikuara për këtë fundjavë, por edhe ato të kampionatit anglez, u shtynë pa afat.

Back to top button