Për të 18-tën herë, dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Dështon konstituimi i Kuvendit pas 18-të tentimeve
Dështon konstituimi i Kuvendit pas 18-të tentimeve me radhë.
Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në ora 10:30. /21Media
Nis seanca e 18-të për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e 18-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë po drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari.
Në sallë në Kuvend janë 106 deputetë. /21Media
Kadrijaj: Haxhiu do të ishte dashur të adresohet edhe për çmim nobel për dështim
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për RTV21 lidhur me konstituimin e Kuvendit ka thënë se AAK nuk e ka obligim ligjor dhe kushtetues të votojw kandidatin e partisë tjetër.
“Ne si AAK në këtë rast apo partitë të tjera nuk e kanë obligim ligjor as kushtetues të votojnë një kandidat që është i një partie tjetër përderisa nuk ka një koalicion ose përderisa nuk ka ndonjë marrëveshje. Po shihet se janë bllokuar”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj lidhur me tentimin e 18-të të Albulena Haxhiut për kandidate për kryetare të Kuvendit ajo thotë se ndoshta ajo do të duhej të adresohet për çmim nobel për dështim.
“Ndoshta ish dasht mu adresu edhe për çmim nobel, Albulena Haxhiun për dështim sepse nuk e besoj që ka ndonjë kandidat në asnjë instancë që ka dështim të tillë”, tha ajo. /21Media
Haradinaj i AAK-së: Do të votonim Selimin ose Bogujevcin, ndryshimi i procedurës është antikushtetues
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, lidhur me kandidatin për kryetar të Kuvendit ka thënë se AAK është e gatshme ta votojë Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin për kandidate.
“Unë shpresoj që do të kemi kohë që të propozojmë kandidaten të cilën ne jemi thirrur për Shqipen ose për Bogujevcin, jemi të gatshmë t’ja japim votën”, tha ai.
Deputeti i AAK-së shtoi se është antikushtetues ndryshimi i procedurës së votimit gjatë vazhdimit të seancave.
“Çdo deputet e ka obligative që të mos bie pre e këtyre formave manipuluese”, tha Haradinaj. /21Media
Zogaj: Nuk po shohim qasje serioze për ndryshim të rrethanave në Kuvend
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj lidhur me konstituimin e Kuvendit ka thënë se nuk mund të ketë ndryshime në Kuvend në qoftë se nuk ka ndryshim të rrethanave.
Ai vlerëson se nuk ka qasje serioze për ndryshimin e situatës në Kuvend, ku shton se shkuarja çdo 48-orë për seanca është bërë apsurde.
“Nuk mund të ketë ndryshime në qoftë se nuk ka ndryshim të rrethanave dhe nuk po shohim se ka ndryshim të rrethanave. Nuk po shohim as qasje serioze për me ndryshuar diqka, siç shihet nuk ka asnjë urgjencë, ne po vimë këtu çdo 48 orë është bërë apsurde”, tha Zogaj. /21Media
Gruda: Nuk pres të ketë ndonjë ndryshim, do të jetë skenari i njëjtë
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda lidhur me ngërçin politik në Kuvend ai thotë se nuk pritet ndryshim sipas tij skenari i njëjtë do të jetë edhe sot.
“Unë nuk pres të ketë ndonjë ndryshim, mendoj që do të jetë skenari i njëjtë. Ju e shihni që qartazi partia që nuk ka arritur me fitu shumicën apsolute, pretendon që ka fituar shumicën apsolute dhe mendoj që i ka marrë peng institucionet e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij VV është duke mbajtur peng Kuvendin e Kosovës.
“Kryeministri dhe ministrat janë në qeveri në mënyrë të kundërligjshme, tash duan të mënyrë të kundërligjshme, kundër kushtetuese me bajtë peng edhe Kuvendin e Kosovës”, theksoi ai. /21Media
Peci thotë se është në dorën e opozitës që të ketë ndonjë risi në Kuvend
Deputeti i LVV-së, Faton Peci para mediat lidhur me risitë në Kuvend ai tha se VV është pushtet kujdestar.
Peci në një deklarim për media të hënën paralajmërojë se edhe në këtë seancë do të shkojnë me skenarin e njëjtë atë të votimit të fshehtë.
“Ata që e kanë në dorë me pasë risi, ne jemi pushteti kujdestar do të thotë ajo që mundemi me pritë ndryshim, pjesa kryesore i takon pjesës së partive, PDK, LDK, AAK. Të gjithë deputetë tanë që po marrin pjesë votojnë në funksion në debllokim të Kuvendit”, tha Peci.
Ai ndër të tjera shtoi se kjo është mënyra më e mirë për të dal nga kriza, pasi siç ka thënë ai shumë deputetë në biseda private thonë se i vret ndërgjegjja që nuk po konstituohet Kuvendi. /21Media
Përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit
Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e tetëmbëdhjetë me radhë që prej pesëmbëdhjetë prillit kur ka filluar seanca konstituive.
Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 10:30 – pa shpresë se do të ketë zhbllokim të situatës.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në disa seanca, kryesuesi i seancës, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk është përkrahur nga partitë e tjera parlamentare.
Që prej pesëmbëdhjetë prillit, deputetët po mblidhen çdo 48 orë për konstituim të Kuvendit.
E në mbledhjen e fundit, nga Lëvizja Vetëvendosje u propozua që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, javën që shkoi, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.