Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë të këtij viti, ku bëhet e ditur se në tremujorin e tretë të vitit 2020 gjithsej janë regjistruar 2 mij 137 e 593 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak ka rritje për 27.54% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019) ka rritje për 8.9% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas ASK-së, për sa u përket aktiviteteve ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 597 ndërmarrje të regjistruara 23.02%, prodhimi me 302 ndërmarrje të regjistruara 11.65%, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 282 ndërmarrje të regjistruara 10.88%, bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 257 ndërmarrje të regjistruara 9.91%, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 235 ndërmarrje të regjistruara 9.06%, ndërtimtaria me 231 ndërmarrje të regjistruara 8.91%, etj .

“Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 1 511 ndërmarrje të regjistruara (96.8 %); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar ishin 51 sosh (2.0%); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0.9%); në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar ishin 7 ndërmarrje të regjistruara (0.3%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar. Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 771 ndërmarrje të regjistruara (29.7%); Prizreni me 197 ndërmarrje të regjistruara (7.6%); Ferizaj me 186 ndërmarrje të regjistruara (7.2%); Peja me 141 ndërmarrje të regjistruara (5.4%); Gjilani me 129 ndërmarrje të regjistruara (5.0%); dhe Gjakova me 114 ndërmarrje të regjistruara (4.4%).”, u është bërë e ditur në njoftim.

Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.