Për tri ditë hajnat 2 herë e vodhën 72 vjeçaren!

 

72 vjeçarja Radica Stankoska nga Kërçova gjatë ditës së hënë ishte cak i hajnave.

Ajo jeton e vetme në shtëpi dhe ka sëmundje të ndryshme. Ndonëse është me kushte jo të mira për jetesë, hajnat ia morën edhe pasurinë e fundit që kishte. Një qafore ari me një pllakë dhe një germë M, siç tha ajo.

Shtëpia e saj është vetëm 100 metra larg stacionit policor të Kërçovës, por siç duket kjo për vjedhësin nuk ishte problem.

Në orën 13:00 në mesditë plaka ka qenë duke qëndruar në shtëpinë e saj dhe në një moment iu afrua një person, i cili i ofroi ndihmë për t’i bartë drunjtë, por pasi zonja refuzoi ai i tha se ishte i etur dhe donte të pinte ujë, në atë moment zonja nuk e refuzoi, pa e ditur se po mashtrohet.

“Më tha të hyjë të pijë ujë. Bijë, unë për ujë dhe për bukë i thash hyrë dhe pijë ujë, ai vetëm i lagu duart kështu, as ujë nuk piu, filloi të më marrë cigare. Më pas më tha ta ndez shporetin, unë i thash nuk ka nevojë ta ndezësh shporetin, dhe u afrua afër meje ma nxori qaforen nga qafa, unë thërrita policia, ai iku, djali iku”, u shpreh Radica Stankoska.

Por, plaçkitja nuk mbaroi me kaq. Dy ditë më vonë, siç tha Radica,  rreth orës 16:00 të pasdites në shtëpinë e saj i shkoi i njëjti person bashkë me motrën e dhe ia mori edhe vathët nga veshët.

“Mbrëmë erdhi mi morri vathët. I njëjti dhe motra e tij në ora 16, sërish erdhën mbrëmë dhe sërish unë fillova të thërras policia. Ata më shtrinë aty dhe ma mbyllën gojën. Vetëm ma mbyllën gojën dhe mi morën vathët”, shtoi Radica Stankoska.

Ajo ndjehej e frikësuar dhe e trishtuar, sepse brenda tri ditëve dy herë i kishin hyrë në shtëpi për t’ia vjedhur gjësendet e pakta që i kishte me vlerë.

TV21 kontaktoi Sektorin për Punë të Brendshme Ohër, nga atje e konfirmuan rastin në fjalë dhe na thanë se po merren masat e duhura për gjetjen e kryerësit të veprës.

“Ju informojmë se më 08.02.2021 në 13.40, R.S (72) nga Kërçova, është paraqitur në stacionin policor se një person ka shkuar në shtëpinë e saj rreth orës 13:00, duke thënë se ai ishte dërguar për ta ndihmuar atë me bartjen e druve për ngrohje. Pasi ka hyrë në shtëpi, ai ka shfrytëzuar rastin dhe i marrë një zinxhir prej ari me një varëse, pas së cilës ai u largua menjëherë”, potencoi Stefan Dimovski – SPB-Ohër.

Vjedhjet në këtë qytet janë të shpeshta, madje ndonjëherë ato kanë pasur epilog fatal. Muajin e kaluar në Kërçovë u vra nja person që merrej me këmbim monedhash. Atij iu vodhën 30 mijë euro dhe u godit me plumb, raporton TV21./21Media

Back to top button