Për zgjedhjet në Bullgari votohet edhe në Maqedoni!
Bullgaria po e zgjedh parlamentin e ri dhe Presidentin e shtetit. Që herët në mëngjes qytetarët presin radhë për votim edhe para Ambasadës në Shkup.
“Nga mëngjesi, vendvotimi u hap në orën 7, në mënyrë intensive po votohet, të gjithë që i shihni pas meje, nuk ka asnjëfarë problemi deri në këtë moment, i respektojmë gjithë masat epidemiologjike që janë të nevojshme, qytetarët presin, nuk ka presion dhe deri në këtë moment jam e kënaqur”, tha kryetarja e vendvotimit.
Qytetarët presin që pas zgjedhjeve të treta Bullgaria më në fund të bëhet me Qeveri.
“Dëshirojmë rezultat. Të ketë Qeveri dhe President. Të mos ketë grindje. Të ketë jetë më të mirë, por edhe punë, e jo vetëm para nga BE, pensionistë të mjerë, të mos ketë para të mëdha”.
Kandidati për president, Rumen Radev, pas votimit para mediave tha se negociatat me BE nuk varen nga Qeveria e re në Bullgari, por nga vetë Maqedonia.
“Çelësi për fillimin e negociatave të RMV për anëtarësim në BE është në harmonizimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoni, në çrrënjosjen e gjuhës së urrejtjes, ndërprerjen e procesit të bullgarizmit, ndërprerjen e eksperimenteve për shkatërrimin dhe falsifikimin e trashëgimisë historike bullgare si dhe fillimi i negociatave nuk do të varet nga Qeveria dhe Parlamenti i ri. Më shumë varet nga vetë RMV e cila duhet të ndërmarrë veprime adekuate”, pohoi Rumen Radev, kryetar i Bullgarisë.
Radev shtoi se përmes dialogut mes dy vendeve, e jo me lobim përmes BE, do të ndërtohen raporte të mira ndër-fqinjësore dhe miqësore që i presin të dy popujt.
Në Maqedoni u votua në Shkup, Manastir, Ohër, Strumicë, Kavadar dhe Shtip. Në Ballkan më shumë vendvotime për zgjedhjet e Bullgarisë kishte në Turqi, përkatësisht 126.
Gjithsej 24 parti, koalicione dhe nisma komiteti, kanë kandidatë për president dhe zv.president të Bullgarisë. Me shumë gjasa presidenti i Bullgarisë nuk do të zgjidhet në rrethin e parë, por kjo do të ndodh më 21 nëntor kur do të mbahet rrethi i dytë. Për herë të parë nuk kishte debat parazgjedhorë për zgjedhjet presidenciale në Bullgari./21Media