Përfaqësuesi i Rusisë në OKB tha se sulmi në Banjskë po ekzagjerohet

Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vasily Alekseyevich Nebenzya, ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit është duke u ekzagjeruar me qëllim fajësimin e Serbisë.
“Incidenti në Bansjkë po ekzagjerohet. 3 serbë lokalë kanë vdekur dhe një polic kosovar. Ka shumë pyetje për atë se çfarë ka ndodhur, nuk është e qartë se përse prania ndërkombëtare është tërhequr, EULEX patrullon por është edhe KFOR, që shkon atje për t’i ndarë palët, nuk e di cila është kjo situatë që i është sjellë shqiptarëve të Kosovës që ka sjellë këtë përfundim tragjik”, tha ai.
Sipas tij, 3 anëtarët e grupit terrorist janë ekzekutuar pas dorëzimit e polici Afrim Bunjaku nuk është vrarë nga ky grup.
“Është e dukshme që nuk është pritur për rezultatet e hetimit, menjëherë e kanë quajtur akt terrorist dhe janë shpërndarë informata që zyrtari policor është vrarë nga grupet terroriste nga Beogradi, por pastaj është vërtetuar nga një shpërthim, dhe serbët që janë dorëzuar janë ekzekutuar, pra ka përpjekje për t’ia hedhur fajin Beogradit”, tha ai.
Në këtë mbledhje presidentja Vjosa Osmani edhe një herë përsëriti se prapa këtij sulmi qëndron shteti i Serbisë.