Përfaqësuesi kroat: Kosova është gati për KiE dhe ne jemi gati për Kosovën

(Lajm i përditësuar)
Përfaqësuesi i Kroacisë, Domagoj Hajdukoviq, në Asamblenë e Këshillit të Evropës ka bërë thirrje që Kosova të pranohet si pjesë e familjes evropiane. Ky, ka thënë ai, është hapi drejt një paqeje.
Ai ka theksuar se Kosova është gati për anëtarësim në strukturat evropiane.
“Nxit kolegët që ta mbështesin aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës, i bëj thirrje Këshillit të Ministrave që ta vënë këtë vendim në asamblenë tonë kështu që të vazhdojmë me pranimin e Kosovës. Mendoj se të gjithë, jo vetëm kosovarët, por të gjithë do të përfitojnë nga një anëtar i ri. Mendoj se Kosova është gati dhe ne jemi gati për Kosovën”, ka thënë ai.
Hajdukoviq është shprehur skeptik për qëndrimin e Serbisë drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke u mbështetur, siç tha ai, në përvojat e kaluara me Beogradin.
“Në ditët e fundit kemi parë sinjale premtuese nga Beogradi megjithatë duke gjykuar nga eksperienca e kaluara më lejoni të shprehem skeptik. Nëse tregohem optimist dhe shpresoj se përgjegjësia nuk do kalohet nga njëra anë te tjetra, por të dyja palët duhet të njohin se përgjegjësia për mbajtjen e paqes është e të dyjave. Dhe në të gjitha gjykimet, duhet të them se përgjegjësia po anon rëndë nga ana e Beogradit në këtë rast. Në çdo rast, eskalimi nuk është në interesin e askujt, do të lëndojë Kosovën, Serbinë, rajonin, kontinentin dhe nëse vazhdojmë në rrugën e destabilizimit do të jemi në rrugë drejt askundit”, tha ai.
19:02 – Zëdhënësja e EPP-së në PACE: Serbia ta njohë realitetin e Kosovës – Prishtina ta themelojë Asociacionin

Asambleja Parlamentare e Këshillit të BE-së (PACE), në seancën e sotme, ka diskutuar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ria Oomen-Rujiten, zëdhënëse e Grupit Parlamentar EPP/CD, tha se lufta e Rusisë në Ukrainë po e nxit edhe më shumë tensionin mes Serbisë dhe Kosovës.
“Një konflikt i ri në zemër të Evropës duhet të zgjidhet. Perspektiva dhe mirëqenia e njerëzve në këtë rajon po rrezikohet. Zgjidhje të qëndrueshme nevojiten. Dhe duhet të vijnë nga politikanë që marrin përgjegjësi për njerëzit që përfaqësojnë”, tha ajo, ndërsa shtoi se “Serbia duhet ta shohë realitetin e ri të pavarësisë së Kosovës, por edhe Prishtina duhet të realizojë Asociacionin” e komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesi grek në PACE, George Katrougalos, tha se Ballkani ka ende potencial shpërthyes, por që kjo nuk kufizohet vetëm në Ballkan.
“Në rastin e Kosovës ka njëfarë drite. Duket se pas deklaratës së fundit të presidenti serb që riekzaminon propozimet për normalizim, ndoshta dy palët mund të arrijnë një kompromis të zbatueshëm. Sepse është e dukshme se zgjidhja e vetme e mundshme është përmes dialogut, respektimit të tjerëve dhe kompromisit. Siç kanë treguar Greqia dhe Maqedonia me marrëveshjen e Prespës. I ashtuquajturi plan ‘franko-gjerman’ i cili thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në këmbim të një forme, nëse jo të vetëvendosjes, së paku të vetëshprehjes, së pakicës serbe, mendoj se mund të jetë një prej mënyrave të mundshme të kompromisit. Jo e vetmja. Të dyja palët duhet të respektojnë plotësisht konventën kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave. Serbia është pjesë e saj, autoritetet e Kosovës duhet të përqafojnë në tërësi dhe të respektojnë provizionet e saj”, tha ai.
Në këtë seancë folën edhe përfaqësuesit e Shqipërisë, të cilët i dhanë mbështetje të plotë çështjes së Kosovës në raport me Serbinë, sikurse edhe ai i Ukrainës.

Back to top button