Kurti e Ymeri në Bruksel bisedojnë për krijimin e qeverisë së re
Përfaqësuesit Vetëvendosje shprehën zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit drejt integrimit në BE
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe ish kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, gjatë vizitës së që po zhvillojnë në Bruksel, sot kanë takuar eurodeputetin socialdemokrat nga Kroacia Tonino Picula dhe përfaqësuesit e zyrës së Komisioneres së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Shefen e Kabinetit Fabrizia Panzetti dhe këshilltaren e kabinetit Ana Maria Baura.
“Gjatë ditës së parë të vizitës në Bruksel kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri bashkë me kandidatin për Kryeministër Albin Kurtin, takuan eurodeputetin socialdemokrat nga Kroacia Tonino Picula dhe përfaqësuesit e zyres së Komisioneres së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Shefen e Kabinetit Fabrizia Panzetti, dhe këshilltaren e kabinetit Ana Maria Baura”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Po ashtu në njoftim thuhet se gjatë takimeve është diskutuar krijimi i Qeverisë së re në Republikën e Kosovës dhe domosdoja e ndryshimit të kursit politik dhe qeverisës të Kosovës, zhvillimit ekonomik që sjellë punësim, sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë.
“Përfaqësuesit e Komisionit dhe Parlamentit evropian u deklaruan se do ta pranojmë secilën qeveri demokratike që ka shumicën në Kuvend. Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE! shprehën zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit drejt integrimit në BE si dhe për bashkëpunimin rajonal sipas parimeve të fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit në marrëdhënie”, thuhet ndër të tjera në njoftim./21Media