Përfundoi bastisja, Behramaj: Po rezervohem prej komentimit

(Lajm i përditësuar)
Përfundoi bastisja, Behramaj: Po rezervohem prej komentimit
Ka përfunduar bastisja në banesën e Adil Behramajt, këshilltar i ish presidentit Thaçi. Ekipet e Speciales janë larguar nga ndërtesa ndërsa avokati i Behramajt ka thënë se nuk ka urdhër arrest për të dhe se i njëjti po qëndron në banesën e tij.
“Sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara është bastisur banesa e zotit Adil Behramaj në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specilalizuar për një vepër penale e cila sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e ka parë vendimin, e ka bërë një vlerësim fillestar të tij. Mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese mirëpo ne këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur procedural”, ka thënë Qerkini.
Bashkë me avokatin para gazetarëve doli edhe vet Behramaj.
“Po rezervohem prej komentimit kështu që fjalën po ia kaloj avokatit Artan Qerkini”, ka thënë shkurt Behramaj.
​Vazhdon bastisja në banesën e Adil Behramajt
Avokati Artan Qerkini ka deklaruar se bastisja në banesën e këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi është duke vazhduar. Ai nuk ka treguar detaje rreth këtij operacioni veçse ka theksuar se të gjitha do të bëhen të ditura pasi të përfundojë bastisja.
“Bastisja është në rrjedhë e sipër, pas përfundimit të saj do të deklarohemi në tërësi ne lidhje me atë se çfarë ka ndodhur. Më lejoni të shkoj te vendi ku është duke u zhvilluar bastisja pastaj do të ju japim informata më të hollësishme. E gjithë kjo do të bëhet e ditur në fund të këtij procesi. Bastisja është duke ndodhur në banesën e zotit Behramaj”, ka thënë Qerkini derisa ka hyrë në objektin ku banon Behramaj.
Mëngjesin e sotëm ka filluar basitsja në banesën e Adil Behramajt, i cili ka qenë këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Back to top button