Përfundon me sukses ushtrimi për reagim ndaj krizave i Policisë dhe Ambasadës amerikane

Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të premten është realizuar me sukses të plotë. Ushtrimi u zhvillua në zonën e Ambasadës amerikane në lagjen “Arbëria” nga ora 15:00 deri rreth orës 20:30 dhe kishte për qëllim testimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese si dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në raste krizash dhe emergjencash.

Në këtë aktivitet u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme. Gjatë ushtrimit u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejtë, si dhe bashkëveprimi i ngushtë ndërmjet zyrtarëve të Policisë dhe personelit të sigurisë së Ambasadës amerikane.

Skenarët e simuluar përfshinë menaxhimin e situatave të ndryshme të krizës, përdorimin e mjeteve të specializuara të sigurisë dhe testimin e procedurave operative në kushte reale.

“Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u zhvillua pa asnjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Back to top button