Kuvendi as në seancën e sotme nuk miratoi marrëveshjet ndërkombëtare

(Lajm i përditësuar)


​Përfundon seanca, s’ka kuorum

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.

Legjislativi s’pati deputetë të mjaftueshëm për të hedhur në votim Projektligjin për kodin doganor dhe të akcizës, andaj kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme plenare.

Megjithatë, gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjit për shërbime sociale dhe familjare dhe Projektligjin për falimentimin


Kuvendi as në seancën e sotme nuk miratoi marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për investime të qëndrueshme.

Në anën tjetër, mazhoranca dështoi të miratojë Projektligjin për tekstet shkollore si dhe të votojë për tre anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pasi katër deputetë të pushtetit nuk morën pjesë në votim.

Në seancën e sotme plenare, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca nuk i hodhi në votim marrëveshjet ndërkombëtare, pasi ishin në sallën plenare vetëm 74 deputetë.

Ndërkaq, kabineti qeveritar edhe në seancën e sotme nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve opozitarë që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Dritë të gjelbër” iu dha Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji


Nuk vihet në votim rezoluta për Policinë e Kosovës

Për shkak të mungesës së kuorumit, rezoluta për Policinë e Kosovës sërish nuk është vënë në votim.

Ndërsa, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata nga kabineti qeveritar.

Ndërkohë pritet të fillojë seanca e re plenare ku në rend dite janë planifikuar të jenë 19 pika.

 


Hoti: S’ka asnjë pengesë buxhetore për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë

​Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se s’ka asnjë pengesë buxhetore që të paguhen shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

Hoti në seancën e jashtëzakonshme për policinë, kritikoi kabinetin qeveritar dhe deputetët e mazhorancës për bojkotin në Kuvend.

Ai kërkoi që ekzekutivi nis hapat konkret për ligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë.

“Pse nuk vijnë sot në seancë të thonë se kemi në plan t’i paguajmë shtesat e rrezikshmërisë në pagat e muajit nëntor ose muajit dhjetor, sigurimin shëndetësor jemi duke menduar me bërë në mënyrën më të mirë që nuk e prek koston buxhetore të shtetit. Po ashtu ligjin për pensionimin e parakohshëm duhet të mendojmë sepse nuk mundemi t’i largojmë policët prej pune apo zëvendësojmë. Krejt kjo do të kishte pasur një kuptim sikurse ata të ishin në seancë dhe t’i arsyetonin këto çështje që i ka ngritur opozita. Ndryshe s’ka si të kuptohet kjo formë e pengimit të jetës parlamentare në vend. Unë jam person që jam marrë me financat dhe buxhetin e shtetit. Nuk ka asnjë arsye buxhetore që arsyeton mos marrjen e vendimeve për të paguar shtesat e rrezikshmërisë ose për të nis me ligjin për pengim të parakohshëm. S’ka asnjë pengesë buxheti”, tha ai.


PDK kërkon miratimin e rezolutës për Policinë e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e Vetëvendosjes, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj gjatë prezantimit të rezolutës, tha se miratimi i saj është dëshmia më e mirë e përkushtimit për mbështetjen e Policisë së Kosovës në kohën kur puna profesionale e tyre i bënë krenar të gjithë.

Përmes kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat për rrezikshmëri, të kenë policia me sigurim shëndetësor dhe t’u mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

Qalaj derisa ka prezantuar Rezolutën tha se kjo parti bashkë me opozitën, të vetmin qëllim kanë të mbështesin Policinë.


Opozita kritikon LVV-në për mospjesëmarrje në seancën për Policinë

Pas prezantimit të një draft rezolute nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila ka të bëjë për mbështetje urgjente financiare të Policisë së Kosovës kanë folur deputetët e partive opozitare, ndërsa deputetët e partisë në pushtet (LVV) nuk janë të pranishëm në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha tha se policët e Kosovës e kanë bojkotuar presidenten e vendit në “Darkën e Lamës” e cila u mbajt të mërkurën.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni theksoi se edhe pse më 24 shtator i gjithë spektri politik ishin të unifikuar, kjo siç tha ai nuk po ndodh sot.

Ai u shpreh se partia në pushtet nuk është prezente sot në Kuvend, edhe pse siç tha ai verbalisht thonin që janë në përkrahje të tyre.

Mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në seancë, e ka kritikuar edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, sipas tij edhe mund të jetë duke planifikuar diçka pozitive.

Ndërsa, deputeti Haki Abazi gjatë fjalës së tij në Kuvend kritikoi partinë në pushtet, LVV-së për mospjesëmarrje në seancën e Kuvendit.


Nis seanca për Policinë, të pranishëm vetëm deputetët e opozitës

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Fillimisht deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka prezantuar propozim Rezolutën për Policinë e Kosovës.

Në këtë seancë nuk po marrin pjesë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.


Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme për mbështetjen financiare të Policisë

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër me fillim nga ora 10:00.

Kështu ka njoftuar Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”.

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja obligon ekzekutivin të bëjë ndarjen e mjeteve për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë, pagesën e sigurimit shëndetësor nga fillimi i vitit të ardhshëm e të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.

Po ashtu, me fillim nga ora 13:00 në po të njëjtën ditë, do të ketë edhe seancë të rregullt plenare me 19 pika të rendit të ditës.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës “për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”.

Ky është rendi i ditës:

  1. Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme,
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  3. Pyetjet parlamentare,
  4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
  5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
  6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
  7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
  8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
  9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
  10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
  11. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
  12. Shqyrtimi i parë i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave,
  13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
  14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare,
  15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-255 për shërbime sociale dhe familjare,
  16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-256 për falimentimin,
  17. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
  18. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
  19. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave
Back to top button