​Përkujtohen 28 dëshmorët dhe 32 martirët e rënë në Kaçanik

Në dy tubime përkujtimore të ndara, në “Lagje të Re” dhe “Rakoc”, janë përkujtuar në 24-vjetorin e rënies 28 dëshmorë të kombit dhe 32 martirë, të rënë më 9 prill të vitit 1999.

Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi në fjalën e tij në fjalën e tij ka thënë se edhe sivjet na bashkoi përvjetori i rënies heroike të dëshmorëve të kombit e martirëve.

“Sot 24 vite kthehemi mbrapa, për të kujtuar tmerrin dhe gjenocidin e pushtuesit serb të ushtruar mbi popullatën civile. Përveç mallit e dhembjes që e kemi së bashku, sot ndajmë edhe krenarinë e asaj dite, për të cilën sado që koha kalon, plaga e dhembja mbesin të njëjta. Në këtë ditë kujtojmë heroizmin dhe sakrificën e 28 dëshmorëve dhe 32 martirëve të rënë pabesisht nga forcat serbe. Rakoci dhe Lagjja e Re, do të mbesin sinonim i krenarisë dhe heroizmit të përhershëm. Emrat e të rënëve të kësaj dite, tashmë janë të skalitur në pllakat përkujtimore, dhe do të mbesin gjithmonë gur themeli i lirisë sonë. Dëshmorët dhe martirët e rënë në luftën për lirinë, do të kenë vend të merituar për sa të ekzistoj liria dhe Kosova jonë. Dëshmorët e kanë bërë vet emrin e tyre, me gjakun e derdhur dhe flijimin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata ranë në altarin e lirisë që ne po e gëzojmë tash, ndërsa neve na mbetet t’i përjetësojmë dhe ti kujtojmë përmes veprave e punëve të mira për vendin tonë. Sot na nevojitet që të jemi të bashkuar në punët e përbashkëta për suksese dhe arritje të reja. Po ashtu, është fuqia e rinisë sonë që do t’i qoj përpara porositë e dëshmorëve dhe frytet e lirisë” tha në fjalën e tij nënkryetari Vishi.

Në tubimin në Rakoc në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës foli Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Kaçanik Komandant Xhabir Zharku, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve, të pranishmit i ka falënderuar djali i dëshmorit Muhamet Zeneli, Jetmiri.

Manifestim përkujtimor u mbajt edhe në Lagje të Re, ku në emër të institucioneve komunale foli drejtoresha e Administratës së Përgjithshme Dardana Dauti, e cila mes tjerash në fjalimin e saj, çmoi kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të luftës së UÇK-së.

Në emër të OVL-së së UÇK-së foli ish zëvendës Komandanti i Brigadës162 ” Agim Bajrami” Hajrush Kurtaj. Kurse, në emër të familjeve të të rënëve të pranishmit i përshëndeti vajza e dëshmorit Fatmir Horuni- Malësorja.

Shënimin e përvjetorit të Betejës së 9 Prillit e nderoi me praninë e saj folësja ikonë e lajmeve, përkrahësja e luftës së UÇK-së Besa Çeku Buqinca, e cila edhe mori fjalën para të pranishmëve në Rakoc.

Në të dy manifestimet u shfaq program kulturo-artistik i përgatitur nga Shkolla Fillore ” Emin Duraku”, në Kaçanik.

Pranë pllakave përkujtimore e të rënëve janë vendosur kurora lulesh, ndërsa më pas janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Në Betejën e 9 Prillit, në “Lagje të Re” ranë dëshmorët: Izahir Troni, Mynyr Thaçi, Remzi Zharku, Blerim Raka, Habit Dullovi, Raif Krivanjeva, Fatmir Horuni, Sylejman Kuka dhe Burim Rexha, ndërsa në Betejën e “Rakocit” ranë heroikisht dëshmorët: Fadil Çaka, Nehat Çaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Abdurrahim Shehu, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Kjani Bela, Shefket Fera, Nexhmi Fera, Adem Rakoci, Nevzat Çallaku, Mukadeze Muhaxheri-Lika dhe Kadri Trena.

Back to top button