Përkujtohen 42 dëshmorë dhe 280 martirë në Drenas

(Lajm i përditësuar)

Me rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, në Drenas pranë shtatores së heroit Ilaz Kodra, si dhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në fshatin Gllobar.

E pranishme në këtë përurim ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku në një fjalë rasti tha se në Drenas e Drenicë flasin veprat e atyre që sakrifikuan jetën për liri.

“Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala i ka quajtur figura historike gjithë dëshmorët e martirët që dhanë çdogjë nga vetja për lirinë që sot e gëzon vendi.

Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.

“Ky fshat u bë strehë për qindra të ikur nga fshatra përreth edhe pse duke qenë në afërsi të Drenasit rreziku ishte i përhershëm. Humanizmi juaj, dëshira për të qëndruar në tokat e shtëpitë e juaja i tregoi armikut se Kosova nuk është e tyre por e juaja. Por, si në çdo fshat në këtë rajon dhe më gjerë, në tërë Kosovën, liria erdhi me luftën, mundin, vuajtjet, gjakun e sakrificën e bijve më të mira, pllakën në nderim të cilën po e përurojmë sot. Ne çdoherë kujtojmë dëshmorët dhe martirët me dhimbje e respekt dhe kjo pllakë përkujtimore është dëshmi për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm se lufta ishte e drejtë. Kjo pllakë që mban emrat e dëshmorëve e martirëve, bijave e bijve të këtij vendi, na rikujton se liria është mbi të gjitha, se ne duhet ta kemi të qartë se të rënët për liri duan që ne, njësoj si ata ta duam vendin tonë”, tha Shala.

Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari tha se kjo përmendore shërben për ta kujtuar luftën e drejtë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Hajdari ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, kjo është një padrejtësi tjetër që i është bërë vendit.

“Është mirë që po e vendosim këtë shenjë, edhe pse me vonesë dhe simbolike por të paktën ta kujtojmë luftën dhe të themi që këtu ka qenë një luftë e drejtë e UÇK-së dhe është bërë një masakër ndaj këtij populli të pafajshëm. Është dhimbje t’i kujtojmë pas 24-viteve, sepse ta hupësh një anëtar të familjes është punë e madhe por në anën tjetër është krenari, sepse pa luftën e UÇK-së, dëshmorët, martirët, pa veteranët e luftës në krye me komandantin legjendar, nuk do ta gëzonim sot këtë liri edhe pse nuk e kemi as lirinë të plotë, sepse synimi ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare. Edhe pas lufte ne si bashkëluftuar, si ushtarë të UÇK-së u ballafaquam me shumë padrejtësi, një kohë UNMIK-un, EULEX-in dhe tash edhe Gjykatën e Hagës…ku, sot gjenden pa asnjë pikë faji e dëshmi krerët e UÇK-së në Hagë”, tha Hajdari.

Drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj tha se kontributi që kanë dhënë për ndërtimin e këtij monumenti është një shenjë shumë e vogël dhe simbolike për ata që kanë dhënë jetën e tyre për liri.

“Kur po e kryem një obligim ndaj vendit po ndihemi edhe të emocionuar, sepse ky është një ndër projektet që ndoshta është dashur më herët të bëhet, por më në fund kemi arritur ta bëjmë një projekt, që sado që është i vogël, është shumë simbolik dhe domethënie të mirë, por mbi të gjitha punimet janë kryer shumë mirë”, tha Zogaj.

Administratori në këtë fshat, Murat Elshani derisa falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për këtë monument, u shpreh se UÇK ishte dhe mbeti gjithmonë e lavdishme.

Driton Krasniqi, familjar i të rënëve ka falënderuar të gjithë për kontributin e kësaj pllake dhe për pjesëmarrjen.

Kujtojmë se më datën 30 prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth.

Përkujtohen sot heroi Ilaz Kodra, 42 dëshmorë dhe mbi 280 martirë

Më rastin e 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorëve dhe mbi 280 martirëve, Komuna e Drenasi dhe ajo e Skenderajt, sot do të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe do të bëhet zbulimi i pllakave përkujtimore në fshatin Shtuticë dhe Gllobar.

Më datën 30 Prill të vitit 1999, u vranë 42 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra, dhe mbi 280 martirë të fshatrave, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth.

Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.

Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.

Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.

Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.

Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.

Herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë”.

Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.

Back to top button