Përleshje fizike në Parlamentin e Serbisë

Shkak, mosreagimi ndaj miratimit të ligjit në Mal të Zi

Në Parlamentin e Serbisë ka ndodhur një përleshje fizike mes deputetëve kur deputetët e opozitës nga partia Dveri, Boshko Obradoviq dhe Ivan Kostiq hynë në sallën e Kuvendit duke mbajtur pankarta në duar në të cilat shkruhej: “Milo, hajdut, nuk t’i japim gjërat e shenjta” dhe “Serbi, pse po hesht?”.Fjala është për presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Veprimi i deputetëve opozitarë serbë kishte të bënte me faktin se Serbia nuk është përgjigjur ende ndaj miratimit të ligjit për komunitetet fetare në Malin e Zi, i cili ka ngritur shqetësime se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë në pronat që administron.

Deputetët e parlamentit serb kërkuan një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit serb për situatën në Mal të Zi.
Më pas pati një konfrontim fizik me deputetët e shumicës në pushtet.

Obradoviq u ndal para kryesueses së seancës dhe pyeti deputetët “nëse ata mbështesin grabitjen e kishave dhe manastireve serbe dhe arrestimin e deputetëve në Mal të Zi”.

Pastaj atij iu afrua kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Martinoviq, dhe deputetë tjerë të shumicës parlamentare, duke u shkaktuar më pas edhe përleshja fizike.

Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq, u kërkoi deputetëve të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos përgjigjen ndaj asaj që ajo e quajti provokim nga ana e Boshko Obradoviq.

Ajo gjithashtu kërkoi nga Shërbimi i Sigurisë së Kuvendit të mos reagojë. Seanca më pas u shty por rifilloi shumë shpejt./21Media

Back to top button