Përplasen Zemaj e Ismaili

 

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka pasur kritika për pezullimin e udhëzimit administrativ për unifikim të çmimit të barnave. Sipas Ismailit, udhëzimi që u fuqizua në kohën sa ishte ai ministër, kishte për qëllim vetëm ndalimin e abuzimit të çmimit të barnave.

Për këtë Ismaili tha se ministri aktual Armend Zemaj, po nxit rrjetet kriminale.

Ky i fundit gjatë seancës plenare ka kërkuar nga ish-ministrat që të jenë të kujdesshëm kur ngritën temat të cilat sipas tij kërkojnë konfuzion tek qytetarët.

“Më vjen keq për gjuhën e përdorur, mënyrën e sjelljes së tij, sepse një ish-ministër, i cili faktikisht ka punuar edhe me ato struktura shëndetësore, qoftë në pjesën farmaceutike apo me strukturat e brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë, mendoj që duhet të jetë i kujdesshëm në adresimin dhe përzgjedhjen e gjuhës edhe profesionale edhe etike edhe morale. Nëse z.Uran Ismaili e ka ditur dhe është i njohur që kompanitë farmaceutike dhe shoqatat e farmacistëve, apo edhe farmacistët janë grupe kriminale është dashur edhe sot t’i adreson në prokurori dhe në gjykatat vendore. Në këtë drejtim edhe unë do t’i ndihmoja në pafundësi”, ka shtuar Zemaj.

Ndër tjera, Zemaj ka kërkuar që të mos përdoret pandemia për kauza dhe përballje politike.

“Ju kisha lut të reflektoni mbi gjendjen dhe aktualitetin edhe ndërtimin e kauzave politike në adresim apo përdorim të pandemisë për përballje politike. Ju kisha lut të kurseni që atë që të keni ta thoni me fakte pa fyerje, pa etiketime, pa përdorur vdekjet, pa përdorur rritjen e numrit të rasteve. Por sigurisht jemi të prirur edhe të presim rekomandime dhe sugjerime të gjithë të tjerëve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ish-ministri Uran Ismaili tha se rritja e çmimit të barnave, nuk është “shoqatë humanitare”, por “grup kriminal”.

“Unë gjuhën e kam pasur të butë sepse nuk e kam pasur ndaj teje, por ndaj grupeve kriminale. Grupet kriminale kanë ekzistuar dhe na e dimë dhe shumë dosje nga to kanë shkuar në prokurori, sepse dihet që i kanë rrit çmimet e barnave, për me i vjedh paret. Çka me ju thonë atyre, shoqatë humanitare nuk mundem me ju thonë, duhet me ju thonë grup kriminal sepse emrin e ka grup kriminal. Sa i përket komisioneve unë të tregova, krejt çka fole gjysma e fjalimit ishte “komisione, komisione”, ki me hi në një rrugë që ose nuk po e dinë, ose nuk po kupton, ose po të lajthitin. Ki me hi në rrugë të komisioneve edhe ka me qenë rrugë e pafundme për udhëzim administrativ”, ka shtuar Ismaili.

Zemaj ka garantuar që nuk do të ketë rritje të çmimeve të barnave, për cka u zotua se ka angazhuar dy inspektoratet për të monitoruar gjendjen në terren.

Back to top button