Përplasje e ashpër Kurti-Haradinaj: Kot e ke Ramush, mos i frikëso policët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i reagoi ashpër kreut të AAK-së, që deklaroi se Kosova sot është më e dobët në veri, pas dy operacioneve të realizuara.
Kurti tha se në veri të Ibrit ka më shumë rend dhe ligj, tani e sot, se sa kurdoherë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Kurti pranoi se atje ende ka shumë punë, por premtoi se “një nga një do t’i zgjidh sfidat”.
“Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radojiçiq, atëherë ka qenë veriu i rrezikuar. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentelmene me kriminel. Nuk e rrezikon veriun Policia, veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanët e të të gjitha ngjyrave dhe përkatësive. Dhe kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018, atëherë është rrezikuar veriu, jo tash”, tha Kurti, shkruan rtv21.tv
Tutje, ai theksoi se fjala e deputetit Haradinaj është sulm në moralin e policit të Kosovës.
“Që ai kur të shkoj në veri të ketë dilema, po kot e keni deputeti Haradinaj. Morali i policit të Kosovës është shumë i lartë, kot e keni që po e sulmoni”, theksoi Kurti.
Replikoi menjeherë Haradinaj, duke thënë se “nuk e kam qëllimin te morali, sepse i besoj ushtarit dhe policit të Kosovës, por friken e kam tek ti kryeministër që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me dorëzua veriun. Këtë jam tu e thënë, unë besoj që skenari i yt është bërë qëllimshëm”.
Sërish e mori fjalën Kurti, i cili tha se kriminelët në veri nuk kanë qenë kurrë më të frikësuar se tash.
“Prandaj nuk keni nevojë të më frikësoheni mua. Nuk dorëzohet veriu. Por mos ngjallni dilema te polici që kur të shkojë herën e ardhshme në veri, se kush e di pse të ka çuar Albini atje. Kjo është e dëmshme dhe këtë s’ta ka borxh askush”, përfundoi Kurti./21Media

Back to top button