Përplasje për importin e produkteve serbe, deputetë të opozitës lëshojnë mbledhjen e Komisionit

Gjatë raportimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin për Ekonomi pati përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës për importet e mallrave nga Serbia. Këta të fundit madje lëshuan sallën.

Gjatë diskutimit të Ligjit për tregti me jashtë, përplasja ndodhi për shkak të deklaratës së deputetit nga AAK, Pal Lekaj, i cili akuzoi mazhorancën se ka ‘lulëzim’ të importit në Kosovë nga Serbia.

Për këtë deklaratë pati reagime nga deputetët e partisë në pushtet.

Deputeti nga LVV, Driton Hyseni ka akuzuar Lekajn për dezinformim të publikut, derisa ka kundërshtuar deklaratën e tij, ai tha se importi me Serbinë nga 25 për qind ka shënuar në 6 për qind me Qeverinë Kurti.

Po ashtu kritika për këtë deklaratë pati edhe shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, e cila kërkoi nga deputeti Lekaj që të kërkoj falje dhe t’i shikojë statistikat e ASK-së.

Për këtë, ministrja Rozeta Hajdari është shprehur e befasuar me zërin e lartë të deputetit Lekaj.

Ndërsa, deputetja e LDK Valentina Bunjaku – Rexhepi, kërkojë që ministrja Hajdari të përgjigjet në pyetje konkrete e të mos komentoj zërat e deputetëve.

Ndërkaq, deputeti nga PDK, Ferat Shala ka adresuar disa pyetje karshi ministres Hajdari për strategjinë për hulumtim dhe zhvillim. I njëjti ka kërkuar të dijë edhe për ekspertin që ka marr 1 mijë euro në ditë për hartimin e kësaj strategjie.

Për këtë Hajdari tha se nuk mban mend emrin e ekspertit.

Mes tjerash, Hajdari duke folur për Ligjin për tregti të jashtme ka theksuar se ky ligj përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme të importit, eksportit dhe për ushtrimin e tregtisë me jashtë, duke shtuar se ka ndikime statistikore në përmirësim të bilancit tregtar që ishte para 3 viteve në 1 me 10, ndërsa tash është 1 me 6.

Në këtë drejtim, ajo shtoi se vështirësi ka në CEFTA, në paraqitjen e shtetit të Kosovës në mënyrë të barabartë

Back to top button