Personat që shkaktuan dhunë në protestë ndaj KFOR-it, duhet të dalin para drejtësisë

Të gjithë personat e inkriminuar në protestën e dhunshme në komunën e Zveçanit, të cilët sulmuan pjesëtarët e KFOR, duhet të dalin para drejtësisë, ka thënë presidentja e vendit Vjosa Osmani pas takimit me emisarët Escobar e Lajçak. Njohësit e sigurisë thonë se arrestimi i tyre duhet të ndodhë sa më shpejtë, ndërsa ata të drejtësisë tregojnë me çfarë veprash penale ngarkohen të dyshuarit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmendi në Kuvendin e Kosovës emrat e inkriminuar në protesta të dhunshëm, si përgjegjës për dhunën që u shkaktua në komunën e Zveçanit.

Kurti tha se këta persona duhet të dalin para drejtësisë.

Ndërkaq, Presidentja e vendit Vjosa Osmani, sot pas takimit me emisarët Escobar e Lajçak, deklaroi se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”. Ajo kërkoi që institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, gjatë ditës ka bërë të ditur se është arrestuar një person në Leposaviq pasi që kishte kërcënuar nënkryetaren e komunës Dragana Miletiq.

Njohësit e Sigurisë, thonë se arrestimi i të dyshuarve për dhunë në veri, duhet të ndodh sa më shpejtë.

“Pesë persona janë të arrestuar dhe pesëmbëdhjetë pritet të arrestohen së shpejti dhe të dalin para drejtësisë këto kanë të bëjnë jo me protesta të qeta këto janë turma ekstreme që përdoren ashtu si nënkryetari I listës serbe Igor Simiq ka thënë do ti përdorin të gjitha mjetet me 26-28 pra u plagosën ushtarak”, thotë Nuredin Ibishi, njohës i Sigurisë për RTV21.

“Agjencia Kosovare i inteligjencës por edhe policia kanë të gjitha informacionet relevante sa I përket këtyre individëve dhe në këtë bazë Prokuroria e Shtetit duhet të ngritë dhe të fillon hetimet ndaj këtyre personave të cilët kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm dhe tentativë për përmbysje të rendit kushtetues“, thotë Drizan Shala, njohës i Sigurisë.

Avokati, Berat Peci, foli për veprat penale me të cilët mund të ngarkohen të dyshuarit për dhunën në veri

“Të gjitha veprimet inkriminuese që kanë karakter penal, te ne janë të caktuara decidivisht me kodin penal, normalisht ata kanë bërë dëmtim të pronave, sulm ndaj personave zyrtarë, sulm ndaj gazetarëve dhe qytetarëve pa dallim”

RTV21 ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës nëse kanë nisur hetimet ndaj personave të dyshuar për tensionimin e situatës në veri, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe qytetarët e veriut të Mitrovicës kërkojnë arrestimin e personave që shkaktuan dhunë.

“Po qysh nuk duhet e tepërt është qysh u vonu, në ato momente është dashtë me u arrestu, katastrofë janë duke bë në pjesën veriore çfarë lëshimi ka unë nuk mundem me kuptua Bashkësinë Ndërkombëtarë”, thotë një qytetar.

“T’ishim kanë na në vend tyre ata na kishin vra e jo me na arrestu, këtë e dijnë krejt evropa e bota”, thotë një tjetër qytetar.

Më 29 maj persona të maskuar sulmuan pjesëtarët e KFOR ku mbetën të lënduar 30 prej tyre, ndërsa ndodhën 21 sulme ndaj ekipeve të mediave./21Media

Back to top button