Pesë komisione parlamentare përvjelin mëngët sot

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në pesë komisione të ndryshme parlamentare.
Komisioni për Integrime Evropiane nga ora 13:00 do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e “Marrëveshjes Financiare për IPA 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”. I ftuar për të prezantuar këtë Marrëveshje do të jetë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian Besnik Bislimi.
Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga ora 10:00 do të raportojë Inspektori i Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani.
Po ashtu nga ora 13:00 komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të shqyrtojë në parim i Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, ndërsa Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të shqyrtojë raportet vjetore të institucioneve ndër to edhe raportin vjetor financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020.
Kurse Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale do të mbajë tryezë e rrumbullakët nga ora 10:00 me temën: “Të drejtat dhe Siguria e pacientit”./21Media

Back to top button