Pesë të vdekur pas të shtënave në Francë

Pesë persona kanë vdekur nga të shtënat në Francën veriore, pranë një kampi emigrantësh, dhe një 22-vjeçar është dorëzuar në polici, sipas mediave franceze.
Katër persona – dy roje sigurie dhe dy emigrantë – u qëlluan për vdekje në shtrirjen e bregdetit Loon-Plage pranë Dunkirkut, thanë burime të paidentifikuara të sigurisë për mediat në Francë.
Mediat lokale thanë se në veturën e të dyshuarit u gjetën armë. Kryebashkiaku i Dunkirk Patrice Vergriete tha se motivi pas sulmeve “mbetet i panjohur”.
Vergriete e përshkroi incidentin si një “tragjedi” dhe tha se “një individ vrau disa njerëz” në zonë.
Xavier Bertrand, kreu i asamblesë së rajonit, konfirmoi në X se pesë persona kishin vdekur në një “ngjarje tragjike”.
Mediat franceze raportuan një prani të madhe të shërbimeve emergjente pranë një kampi emigrantësh, megjithëse është e paqartë nëse të shtënat kanë ndodhur brenda një vendbanimi.
Loon-Plage është shtëpia e disa vendbanimeve të përkohshme që strehojnë emigrantë. Është afër Calais dhe ngushticës së Doverit, e cila është pjesa më e ngushtë e Kanalit.
Kampe të ngjashme përgjatë bregut verior të Francës janë përdorur nga njerëz që përpiqen të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes varkave të vogla./21Media