Pesëmbëdhjetë të vrarë në një lokal në Afrikën e Jugut

Të paktën 15 persona janë qëlluar për vdekje në një lokal në qytezën Soweto të Afrikës së Jugut.
Policia tha se persona të armatosur hynë në tavernë në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe qëlluan ndaj një grupi të rinjsh. Më pas ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një minibus të bardhë.
“Asnjë motiv për sulmin nuk është përcaktuar”, tha Policia, përcjell rtv21.tv
Disa persona të tjerë janë në gjendje kritike në spital. Viktimat besohet të jenë të moshës 19 deri në 35 vjeç.
Kreu i Policisë së provincës Gauteng, Elias Mawela, i tha BBC-së se të shtënat duket se kanë qenë “një sulm gjakftohtë ndaj klientëve të pafajshëm të tavernës”.
Një deklaratë për shtyp e lëshuar nga zyra e tij thotë se të dyshuarit ishin të armatosur me pushkë dhe pistoleta 9 mm kur hynë në lokal.
Policia është në kërkim të të dyshuarve, identiteti i të cilëve mbetet i panjohur.
Po ashtu katër persona të tjerë u vranë nga të shtënat të dielën, në një tavernë në provincën juglindore të KwaZulu-Natal./21Media

Back to top button