Pezullohet mbledhja e premiumeve shëndetësore

Mbledhja e premiumeve për sigurime shëndetësore, ishte paraparë që të fillojë nga data 1 korrik

Mbledhja e premiumeve për sigurime shëndetësore do të shtyhet për një kohë të pacaktuar, atëherë kur do të formohet Qeveria e re. Ministri në largim i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha sot në mbledhjen e Qeverisë se pas shpërbërjes së Kuvendit dhe Qeverisë, janë krijuar barriera për mbledhjen e premiumeve, të cilat ishte paraparë të fillojmë më 1 korrik. Ai propozoi që mbledhja e premiumeve të shtyhet deri në përgatitjet e parapara.

“Për shkak të këtyre zhvillimeve, janë shënuar vonesa në disa nga aktivitetet tjera, që ndërlidhen me funksionalizimin e Fondit e sigurimeve shëndetësore. Të nderuar bazuar në gjendjen faktike dhe nevojën që këto aktivitete përgatitore të përfundohen, iu propozoj që mbledhja e premiumeve të shtyhet deri në përfundimin e përgatitjeve të parapara në planin e veprimit”, tha Rrahmani.
Edhe kryeministri në largim Isa Mustafa tha se vendimi që mbledhja e premiumeve të fillojë nga 1 korriku nuk ka mundur të bëhet për shkak të shpërbërjes së Parlamentit. Ai tha se datat për fillimin e mbledhjes së premiumeve t’i caktojë Qeveria e re.

“Prandaj do të ishte mirë që ne ta ndryshojmë vendimin tonë, ta lëmë mundësinë hapur që kur të konstituohet Kuvendi i ardhshëm edhe Qeveria e ardhshme, ata ta vazhdojnë këtë procedurë. Mirëpo themi datat t’i përcaktojnë ata, jo datat t’i përcaktojmë ne. Sepse nuk mundemi që ne ta përcaktojmë datën kur Kuvendi i ardhshëm do ta bëjë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit dhe kur do të plotësohen kushtet ligjore, që të fillohet me grumbullimin e premiumeve. Ta lëmë mundësinë e hapur që institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës të vendosin pastaj”, tha Mustafa.

Fillimin e mbledhjeve të premiumeve për sigurimet shëndetësore e ka kundërshtuar vazhdimisht edhe Oda Amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar nga Qeveria që ta pezullojë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, specifikisht mbledhjen e premiumeve të sigurimeve shëndetësore, të planifikuar të fillojë më 1 korrik.

Sipas Odës Amerikane ka shumë aspekte të paqarta që lidhen me pagesën dhe mbledhjen e premiumeve të sigurimeve shëndetësore, për shkak të përgatitjeve joadekuate për implementim të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, zgjedhjeve të përgjithshme që janë mbajtur si dhe krijimit të qeverisë së re. Prandaj, Oda Amerikane ka rekomanduar fuqishëm që implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe mbledhja e premiumeve të shtyhet së paku deri më 1 janar 2018, ose deri pas plotësim-ndryshimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore sipas agjendës legjislative të vitit 2018, cilado që të ndodhë më vonë./21Media

Back to top button