​Pjesëmarrës të Kursit të Lartë për Siguri takohen me anëtarët e Komisionit për Siguri

14 pjesëmarrës nga Kursi i Lartë për Siguri dhe Mbrojtje të Shqipërisë janë pritur në takim nga Komisioni për Çështje të Sigurisë. Anëtarë të këtij komisioni thanë se Kosova ka nevojë për bashkëpunim e mbështetje të Shqipërisë, për shkak të kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet. Në këtë takim u theksua se Kursi për Siguri është kursi më i lartë në karrierën ushtarake.

Kryetari i Komisionit për Çështje te Sigurisë, Bekë Berisha tha se Kosova po ballafaqohet me kërcënime e sfida. Ai përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për çka tha se institucionet e sigurisë kanë treguar profesionalizëm.

“Sa i përket mjedisit të sigurisë qoftë në aspektin rajonal dhe global, siç e dini vijon të jetë i sfiduar dhe i pa qëndrueshëm. Agresioni rus kundër Ukrainës dhe konfliktet në Lindjen e Mesme kanë arritur përqendrimin e kërcënimeve territoriale në Evropë si dhe kanë rritur rrezikun për konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto ngjarje gjeopolitike globale kanë ndikim jashtëzakonisht të madh në rajonin tonë e veçanërisht në sferën e sigurisë. Edhe Kosova ka pasur kërcënime dhe disa sfida, sidomos të agresionit të shtetit serb, të cilat vijojnë të mbesin kërcënime kryesore në Ballkanin Perëndimor. Rasti më i rëndë dhe destabilizues kundër Kosovës ka qenë sulmi i datës 24 shtator 2023, ku jemi përballur me një sulm të përmasave të mëdha, duke mbetur i vrarë një zyrtar policor”, deklaroi Berisha.

Edhe nënkryetari i komisionit, Enver Dugolli u shpreh se Kosova ka nevojë për bashkëpunim dhe mbështetje. Ai shtoi se objektiv kryesor është qe Kosova të jetë pjesë e aleancës së NATO-s.

“Shteti i Kosovës këtë vit në qershor festojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, por para se ta festojmë çlirimin ne bashkë këto ditë çdo ditë përkujtojmë masakrat e panumërta që ushtria serbe ka kryer në Kosovë… Askush më shumë se sa ne Kosova e dimë rëndësinë e lirisë, për shkak se çmimin e kemi paguar shumë shtrenjtë. Po bëjmë përpjekje që në shtetndërtim t’i kushtojmë rëndësi të madhe mbrojtjes e sigurisë, paqes dhe stabilitetit. Për shkak se vetëm duke investuar në mbrojtje e siguri do ta kemi garancën që fëmijët tanë mos të përjetojnë fatin që kishim ne. Jemi me fat që në këtë rrugëtim tonin i kemi miqtë tanë, NATO është me mision në Kosovë. Natyrisht që jemi të interesuar dhe kemi objektiv kryesor që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e kësaj aleance”, u shpreh Dugolli.

E shefja e departamentit të Strategjisë dhe Studimeve të Avancuara, Razije Mehmeti foli për qëllimin e këtij programi.

“Qëllimi i këtij kursi është që të përforcojmë performancat ushtarake në Shqipëri, në vendin e Ballkanit Perëndimor, aleatët e NATO-s për të qenë përgjegjës në nivel strategjik. Statusi i këtij kursi është pjesëmarrësi i NATO-s, pjesëmarrësit vijnë nga institucionet e sigurisë nga Shqipëria, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe shërbimet e inteligjencës dhe partnerët e NATO-s janë Gjermania, Turqia, Greqia, Rumania, Gjeorgjia dhe Kosova. Ky kurs është planifikuar dhe organizuar dhe udhëhiqet nga Kolegji për Siguri dhe Mbrojtje në gjuhën angleze për një periudhë tre-mujore. Kursi për Siguri është kursi më i lartë në karrierën ushtarake. Ky program është zhvilluar me metodologji të ngjashme të atyre vendeve partnere”, u shpreh ajo.

Misioni i këtij kolegji është edukimi dhe kualifikimi i personelit ushtarak e civil nëpërmjet programit mësimor, në nivelet e larta të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe të institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare.

Back to top button