Pjesëtarët e FSK-së dekorohen me medalje pas kthimit nga misioni i parë ushtarak jashtë vendit

Sot, në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e FSK-së të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrahë forcave amerikane të Gardës Kombëtare të IOËA-s në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” të akorduara nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për: major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti. Kurse medaljet për “Shërbim të Shquar” ai i ndau pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s, kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Matthew G. Sandersen.
Me këtë rast, zv.ministri Syla, në emër të ministrit Mehaj theksoi se ka nderin e veçantë të përshëndesë ushtarakët tanë që bënë historinë për Republikën e Kosovës me  zbarkimin e parë në mision paqeruajtës jashtë vendit përkrah aleatëve të përhershëm, forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë. Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës”, tha zv.ministri Syla.
Në këtë ceremoni, gjeneral Rama i përgëzoi pjesëtarët e dekoruar të FSK-së për mision e kryer me sukses dhe për kontributin e dhënë në emër të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Gjithashtu, Gjeneral Rama falënderoi ushtrinë amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.

Gjithashtu, në komunikatën e ministrisë u bë e ditur se Gjeneral Rama iu ndau medalje për “Shërbim vetëmohues” edhe pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me kontingjentin e FSK-së në këtë operacion.

Në këtë ceremoni, ishte i pranishëm edhe atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose, i cili e falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit.

“Ju keni kontribuar që  të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, tha kolonel Rose.

Ndryshe, kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021./21Media

Back to top button