Pjetër Shalës i largohen disa anëtarë nga ekipi mbrojtës

Pjetër Shala është përballur me ulje të papritur dhe të konsiderueshme të ndihmës ligjore për çka mbrojtësi kryesor i tij ka njoftuar se në janar janë larguar disa nga anëtarët e ekipit mbrojtës.

Kjo gjë bëhet e ditur në njërin prej vendimeve të gjyqtares Michele Picard me anë të cilit zgjatë afatin e mbrojtjes për dorëzimin e njoftimit të apelit kundër urdhrit për zhdëmtim.

Në po të njëjtin vendim thuhet se avokati kryesor i Shalës ka njoftuar se kapaciteti operativ i ekipit është dëmtuar rëndë.

“Ai argumenton se ka arsye të forta për kërkesën e zgjatjes së kufizuar të afatit për shkak të: (i) një uljeje të papritur dhe të konsiderueshme të ndihmës ligjore që ofrohet nga, që  dhe për këtë arsye këshilltari kryesor i mbrojtjes ka qenë i detyruar të njoftojë menjëherë ndalimin e gjysmës së ekipit të mbrojtjes; (ii) për shkak të largimeve të papritura të anëtarëve të ekipit gjatë muajit janar, kapaciteti operativ i ekipit është dëmtuar rëndë; (iii) mbrojtja ka angazhime të tjera konkurruese, duke përfshirë shqyrtimin e materialeve të reja të zbuluara dhe përgatitjen e një kërkese për të paraqitur prova shtesë në apel; dhe (iv) natyra e apelit kundër Urdhrit për Dëme është komplekse dhe përfshin çështje të reja që nuk janë paraqitur më parë para një paneli të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguaj 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Back to top button