Plagosen me armë zjarri tre persona në Veternik

Tre persona janë plagosur me armë zjarri sot në lagjen Veternik të Prishtinës.
Një përleshje fizike mes disa personave dyshohet se çoi në përdorim të armës.
Të plagosurit janë dërguar në QKUK, për trajtim mjekësor.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 06:30, është raportuar për një rrahje mes disa personash që ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, të ndodhur në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se Policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./21Media