Plagoset një grua në Fushë Kosovë

Një grua është plagosur mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Policia bëri të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor”, tha ajo.
Tutje, Ahmeti njoftoi se lidhur me rastin është arrestuar një person.
“Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, potencoi ajo.
Në anën tjetër, Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla për portalin rtv21.tv ka thënë e plagosura tani është në gjendje stabile.
Syla tha se janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe se viktima ende është në Qendrën Emergjente.
“Ende e kemi në observim në Qendrën Emergjente, mandej vendosim për transferim në klinikën përkatëse”, tha Syla për rtv21.tv/21Media