Plagosi babë e bir me thikë, arrestohet 35-vjeçari në Fushë Krujë

 

Babë e bir janë plagosur mbrëmjen e sotme me thikë në fshatin Larushk të Fushë Krujës. Sipas raportimeve të para, të plagosurit kanë qenë në një dasmë afër Urës së Gjolës. Ata janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim.

“Më datë 09.08.2020, rreth orës 21:00, në fshatin Larushkë, Fushë Krujë, pas një konflikti të çastit janë plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit Sh.S., 58 vjeç dhe A.S., babë e bir, të cilët janë dërguar në spital nën kujdesin e mjekëve” njoftoi policia.

Si rezultat i reagimit të shpejtë policia bëri të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të ngjarjes i identifikuar si shtetasi E.H., 35 vjeç. Pas ngjarjes ai ishte larguar me biçikletë, por u kap gjatë ndjekjes nga Policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika dhe biçikleta me të cilën autori u largua. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme./oranews

Back to top button