Plani franko- gjerman dhe Asociacioni, temat kyçe të diskutimit në Prishtinë

Vogel: BE dhe SHBA po përgatisin terrenin ta fajësojnë Kurtin nëse dialogu dështon
Themeluesi i DPC Global dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Toby Vogel ka komentuar zhvillimet e djeshme politike në Kosovë, pas vizitës së pesë emisarëve ndërkombëtarë në vend ku u takuan me kryeministrin Albin Kurti.
Vogel përmes një postimi në Twitter tha se BE dhe SHBA po përgatisin terrenin që ta fajësojnë Kurtin nëse dialogu dështon.
“Së bashku me komentet e Lajçakut, kjo e bën të qartë se BE-ja dhe SHBA-ja po përgatisin terrenin për të fajësuar Kurtin nëse/kur dialogu të dështojë”, shkroi Vogel në Twitter.


07: 29- Plani franko- gjerman dhe Asociacioni, temat kyçe të diskutimit në Prishtinë
Në Kosovë dhe Serbi të premten qëndruan përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ata zhvilluan takime me kryeministrin Albin Kurti në Kosovë e me presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi.
Propozimi i BE-së e themelimi i Asociacionit ishte tema kyçe e diskutimit në Prishtinë
Takimin me Kurtin Lajçak e cilësoi si jo të lehtë, teksa shtoi se ky takim ishte i hapur dhe se gjitha energjitë tani janë të fokusuar në planin e BE-së për dialogun dhe arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë, shumë i hapur. Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë. Çfarë dua, megjithatë, të them në këtë pikë, është se ne kemi pritur kuptim më të mirë për mundësitë që ky propozim i ofron”, ka deklaruar Lajçaku pas takimit me Kurtin
Çështja e Asociacionit sipas Lajçakut nuk ka munguar as gjatë takimit të diplomatëve me Vuçiqin. Lajçaku është shprehur se Vuçiq ka treguar qasje të përgjegjshme dhe vullnet “për të marrë vendime të vështira”. “Kemi pasur një diskutim intensiv, të vështirë, por edhe të hapur, dhe ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha Lajçak.
Lidhur me takimin Qeveria e Kosovës doli në njoftim pasdite, ku u bë e ditur se në takim u fol pë rpropozimin evropian.
Më tej në njoftim u tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për të zhvilluar takime tjera të nivelit të lartë politik, në kuadër të procesit dialogues me Serbinë, duke iu referuar takimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kështu u tha në njoftimin për media të Kryeministrisë, pas takimit që ky i fundit, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, zhvilluan me pesëshen e emisarëve ndërkombëtarë gjatë ditës së sotme.
Në anën tjetër emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimeve në Kosovë dhe Serbi në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe tha se e bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Ai shtoi se kjo çështje dhe propozimin franko-gjerman “nuk janë plotësisht të lidhur” më njera tjetrën./21Media

Back to top button