Plani i Rritjes, Kos tërheq vërejtjen për Kosovën: Ende s’kanë nisur të miratojnë reformat

(Lajm i përditësuar)
Kos: Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE, Shqipëria pararojë
Komisionerja e BE, Marta Kos nga Tirana tha se mbështet rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE. Kos tha se duan që BE të bëhet realitet i prekshëm për të gjitha vendet e rajonit.
Kos u shpreh se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE dhe duhet të bëhen shtete anëtarë me të drejta të plota
“Kemi arritur në mes të periudhës 4-vjeçare të planit të rritjes. Faleminderit që e keni bërë të mundur që të diskutojmë në këtë nivel për planin e rritjes. Kënaqësi të kthehem në Tiranë, për të mbështetur jo vetëm ecurinë e Shqipërisë drejt be, por edhe të gjithë vendeve. Kemi patur diskutime për mënyrat për të përshpejtuar zbatimin dhe për ta bërë planin e rritjes një histori suksesi. Për t’iu integruar në shumë fusha. Duam që BE të bëhet realitet i prekshëm. Në disa fusha po merr formë, shqiptarët dhe malazezët përfitojnë nga kosto më të ulëta të transaksioneve falë SEPA-s. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE dhe duhet të bëhen shtete anëtarë me të drejta të plota si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin dhe vlerat e BE. Kemi afat që po afron, në qershor do kemi skadimin e periudhës tranzitore 1-vjecare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë. Diskutuam se si mund të tërheqin më shumë investues të huaj instrumentet tona. Sa më shumë i afrohen BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende pararojë, aq më shumë kureshtarë bëhen qytetarët e vendeve të BE, por edhe më shumë investitorë janë gati të vijnë këtu. Na mbeten edhe 2 vite që plani i Rritjes të kthehet në sukses dhe të përgatisim terrenin për integrimin tuaj në BE”, tha Kos./oranews.tv
Milionat e BE-së, Marta Kos tërheq vërejtjen për Kosovën e Bosnjën: Ende s’kanë nisur të miratojnë reformat
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos ka tërhequr vërejtjen për dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që ende s’kanë nisur miratimin apo zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.
Kos kishte fjalën për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, të cilat janë të vetmet në rajon që ende s’kanë përfituar nga paketa miliardëshe e Bashkimit Europian për rajonin.
Arsyeja pse Kosova ende s’ka përfituar milionat nga Plani i Rritjes është mungesa e institucioneve.
“Kemi mbushur dy vjet që nga fillimi i zbatimit të Plani i Rritjes. Dy vite nga katër gjithsej. Pra, jemi në pushimin mes dy pjesëve, të parës që sapo mbaroi dhe të dytës që sapo filloi. Dhe tani është momenti i duhur për të bashkëbiseduar. Kemi mjaft për të festuar, por, në të njëjtën kohë duhet të jemi të sinqertë që dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimin”, tha Kos në samitin në Tiranë.
Ajo përmendi dy performuesit më të mirë që kanë miratuar rreth 50% të reformave të dakordësuara, ku iu referua Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në këtë samit nga Kosova po merr pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kos tha se ky samit shërben për të bërë një vlerësim të ecurisë për të parë se çka ka ecur mirë me Ballkanin Perëndimor dhe për të parë se ku mund të investohet në pjesën e dytë të Planit të Rritjes dhe se “ku mund të bëjmë më shumë”.
“Shumë dyer të tjera do të hapen. Dhe shtëpia juaj, Europa po ju pret. Ju jeni pjesë e Europës, ne thjesht duhet ta bëjmë këtë gjë edhe në formë institucionale. Pra, që ju të bëheni shtet anëtar i BE-së”.
Rama: Ballkani Perëndimor nuk po lutet të hyjë në Bashkimin Evropian
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së, tha se Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara së bashku me Planin e Rritjes. Duke shtuar se Shqipëria në vitin 2027 do të jetë gati për të pritur BE-në.
“Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara së bashku me Planin e Rritjes. Dikush mund të thotë ‘më mirë vonë se kurrë’, sidomos pas atyre shanseve të humbura kur trenat e bashkëpunimit rajonal nisnin udhën dhe ne mbeteshim në platformë, të zënë me mosmarrëveshjet e vjetra, duke mos marrë një biletë për të ardhmen. Europa nuk është ndërtuar duke pritur, por duke vepruar. Ne nuk jemi këtu për të shtyrë kohën apo për të pritur një moment tjetër, por për të ndërtuar atë që na takon sot. Në vitin 2027 do të jemi gati për të pritur BE-në”, tha Rama.
Rama theksoi se rajoni nuk ka ndërmarrë më parë reforma në një shkallë kaq të gjerë, ku theksoi se 618 reforma janë miratuar në kuadër të Planit të Rritjes, të cilat prekin financat publike, sundimin e ligjit, qeverisjen, klimën e biznesit e fusha të tjera.
Sipas tij, “reformat janë të mërzitshme në letër dhe të lodhshme në praktikë, por ato janë transformuese”.
Rama shtoi se, ndërsa Europa po rivendos zinxhirët e furnizimit, Ballkani Perëndimor nuk duhet të qëndrojë si spektator, duke theksuar ndryshimin e perceptimit të investitorëve për rajonin, të cilin e cilësoi si një treg me forcë pune, pozicion gjeografik dhe harmonizim politik me BE-në.
“Kur Evropa rivendos zinxhirët e furnzimit nuk duhet të jetë një spektator. Rajoni është trajtuar në rastin më të keq si një luftë për tu marrë, ose një problem për tu menaxhuar, investuesit tani shohin diçka ndryshe, një treg, një forcë pune gjeografi dhe harmonizim politik me Bashkimin Evropian”
Rama nënvizoi se Ballkani Perëndimor nuk po kërkon favore, por po afrohet me dinjitet dhe vlera.
“Nuk po lutemi të hyjmë në BE, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po tregojmë çdo ditë e më shumë se jemi gati”, u shpreh ai./vizionplus.tv
Në Tiranë ka filluar Samiti i Planit të Rritjes së BE-së
Fokus i punimeve të këtij samiti, janë diskutimet për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.
Rama pret Kurtin në Pallatin e Brigadave
Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ka nisur pritja e liderëve të Ballkanit Perëndimor, për samitin Growth Plan “Our pathway to EU”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, raporton vizion.plus.tv, transmeton portali rtv21.tv
Rama dhe Kurti u shfaqën të qeshur gjatë takimit me njëri-tjetrin, ku kryen edhe foto së bashku.
Pas këtij takimi nuk munguan pyetjet nga gazetarët, lidhur me raportet mes tij dhe Kurtit.
“A e do, a se do? A të do, a s’të do? Po të ketë përgjigje nuk vazhdon telenovela. Nuk i përgjigjem“, u përgjigj shkurt Rama.
Rama pret Marta Kos në Pallatin e Brigadave
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Pallatin e Brigadave po pret të ftuarit në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”, që do të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale.
Teksa qëndron në këmbë duke pritur delegatët e samitit, Rama nuk i ndërpret batutat dhe replikat me gazetarët e rreshtuar në shkallët e hyrjes së Pallatit të Brigadave.
Në samit do të diskutohet për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, i cili promovon një mjedis të favorshëm për inovacionin, sipërmarrjen dhe progresin teknologjik dhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri.
Kurse Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Samiti i Planit të Rritjes së BE-së mbledh sot liderët e rajonit në Tiranë, Kurti përfaqëson Kosovën
Shqipëria do të mirëpresë sot Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku do mbledhë në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos. Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Diskutimet për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, do të jenë në fokus të punimeve të këtij samiti.
Sipas agjendës së bërë publike, liderët do të mbërrijnë në orën 09:30, për t’iu bashkuar punimeve të samitit i cili do të nisë në orën 10:00.
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos do të mbajnë fjalët hapëse dhe pas përfundimit të punimeve të samitit, në orën 11:30 do të realizohet fotoja familjare.
Më pas, në orën 11:35 Kryeministri Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.