Plagosja e serbit në veri, Osmani: Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas kidnapimit dhe plagosjes se një qytetari serb të Kosovës nga autoritetet serbe.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës.
“Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. “, ka shkruar Osmani.
E para e vendit po ashtu ka kërkuar edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla.”, ka përfunduar Osmani.
Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka njoftuar Policia e Kosovës./21Media