Platforma për dialogun s’kalon në Komisionin për Punë të Jashtme

Nuk ka kuorum

Platforma për dialogun me Serbinë, në mungesë kuorumi nuk ka kaluar në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ndërsa me 5 vota për dhe 4 vota kundër, projektligji për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me shtetin fqinj kaloi në lexim të dytë në seancën e radhës.

Me këtë rast, platforma për dialog u kritikua ashpër nga anëtarët e partive opozitare, duke theksuar se ky dokument nuk e ruan shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, kishte kritika të shumta për platformën e dialogut me Serbinë, pasi sipas saj ka probleme të mëdha, pasi nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Osmani bëri të ditur se kjo platformë nuk e trajton rolin e institucioneve tjera shtetërore, siç thotë ajo, presidenti nuk ka të drejtë të krijojë pozicione, por vetëm t’i mbrojë pozicionet e qeverisë.

Sipas saj, në platformën e dialogut është një pikë që Kosova pa arritur marrëveshje me Serbinë, nuk mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtarë dhe agjencitë e huaja. Kjo sipas saj, është e dëmshme dhe e papranueshme. “Pa kaluar ligji për dialogun, çdo dokument është i pavlefshëm”, tha Osmani.

Për deputetin e VV-së, Glauk Konjufca, në këtë platformë qeveria nuk pozicionohet qartë karshi pozicioneve që i ka presidenti në këtë platformë. “Duhet të ketë vetëm një platformë. Ajo është se qysh me ndalë presidentin Hashim Thaçi t’i ndalojë qëllimet e tij për ndarje të Kosovës”, tha ai.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Evgjeni Thaçi, kishte akuza ndaj anëtarëve të këtij komisioni, pasi sipas saj, në asnjë moment nuk është thënë se do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, u shpreh se platforma dhe vetë ligji për dialogun është përpjekje për t’i dhënë fuqi institucioneve të Kosovës karshi situatës në të cilën ndodhet vendi.

Ndërsa, nënkryetarja e komisionit, Time Kadrijaj, tha se kjo platformë dhe ky ligj e siguron Kosovën e 17 shkurtit me kufijtë, territorin dhe sovranitetin.

Platforma për fazën përfundimtare të dialogut parasheh si rezultat primar, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe formimin e një tribunali për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button