Plepolli flet për finalen Itali-Angli: Këtë skuadër e shoh si favorit të lehtë

Anglia dhe Italia do të ballafaqohen në finalen e madhe të Kampionatit Evropian Euro 2020, në ndeshjen që zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Wembley”. Të dy kombëtaret kanë treguar futboll cilësor gjatë rrugëtimit të tyre në Euro 2020 dhe se është shumë e vështirë të favorizosh ndonjërën prej tyre në verdiktin final të këtij turneu.
Trajneri dhe analisti i sportit, Arsim Plepolli tha për Kp se Anglia mund ta ketë një përparësi të lehtë për shkak se luan para tifozëve të vet, por nga ana tjetër Italia ka treguar paraqitje shumë të mira gjatë gjithë turneu.
“Sigurisht se këto rastësisht nuk kanë ardhur deri në finale. Si Anglia si Italia bëhet fjalë për lojtarë shumë kualitativ në radhët e tyre, luhet loja në Wembley, ndoshta një përparësi e vogël kishte me qenë për Anglinë sepse luan para tifozëve të vet edhe shumica e atyre lojtarëve luajnë në ligtë të Anglisë dhe janë mësuar në atë teren por sido që të jetë nuk duhet të themi se Itali nuk mundet të zhvillojë lojë të mirë edhe aty në Wembley sepse gjatë gjithë këtij pedicioni kanë luajtur super mirë, sidomos duke e anashkaluar lojën e fundit, ishte pak më e tërhequr se gjithmonë kemi thënë që Italia luan një lojë më defanzive ndërsa tani po luan më ofanzive.”, tha ai.
Plepolli thotë finalja mund edhe të mos ofrojë shumë futboll cilësor për shkak se mund të bëhen taktizime dhe kalkulime të mëdha.
“Do të jetë shumë interesant, unë në parashikime nuk jam ku me e ditë çka i mirë, por do të jetë lojë e mirë edhe shpresojë që ta kënaqin publikun se finalet sikur për sy nuk janë edhe aq të mira sepse ka shumë kalkulime, taktizime, prandaj shpresojmë të luhet një lojë e mirë dhe të na kënaq syrin e publikut edhe të gjithë sportdashësit.”, theksoi Plepolli.
Sipas Plepollit, kombëtarja e Anglisë, për dallim nga Italia, e kishte një rrugë më të lehtë për të arritur deri në finale, por që kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi në ndeshjen vendimtare të këtij turneu.
“Ndoshta e ka pasur pak më të lehtë por loja prej lojës po ndryshon. Të marrin përshembull rastin kur luajti Gjermania me Portugalinë, të gjithë kemi thënë 4-1 fitoi Gjermania, të gjithë e kemi parë super-favorit, por lojën tjetër menjëherë dështoi. Po ndryshon loja prej lojës. Unë thash që finalja do të ketë shumë kalkulime do të ketë shumë taktizime sepse luhet vetëm një ndeshje 90 minuta por mundet të shkojë në vazhdime e deri te penalltitë. Prandaj për të ardhur deri te finalja, sigurisht që t’i japim pak përparësi më shumë, Italia ka treguar pak më shumë se Anglia dhe ka pasur një grup shumë më të fortë por të gjitha këto harrohen….Kështu që unë shpresojë edhe besojë që do të jetë një lojë e fortë, pres një lojë shumë agresive nga loja e anglezëve ndërsa në taktikë pres më shumë nga italianët.”, tha më tutje Plepolli.
Në ndeshjen gjysmëfinale ndërmjet Anglisë dhe Danimarkës pati shumë reagime dhe polemika mbi mënyrën e referimit te rasti i penalltisë në favor të anglezëve dhe Plepolli shpreson që në finale ndarja e drejtësisë të jetë më korrekte dhe vendimet e mëdha të mos merren pa u konsultuar sistemi VAR.
“Po shpresojë që edhe gjyqtari të jetë në nivel sepse këtë lojën përshembull me Anglinë këtë lojën e fundit me Danimarkën shumica thonë që nuk ka qenë penallti, penallti e lehtë prandaj shpresoj që referimi do të jetë në nivel edhe VAR-i do të jetë në nivel sepse VAR-i për atë është i përcaktuar, të shikohet VAR-i edhe pastaj të merret vendimi ndërsa në rastin e fundit referi edhe dha penallti, nuk shkoi ta shikojë VAR-in që pati shumë vërejtje prej shumë analistëve shumë polemika.”, tha ai për kp.
Sa i përket asaj se cilën prej këtyre dy kombëtareve e sheh si favorite, Plepolli u shprej se i sheh si 50 – 50 mundësitë për të dy ekipet për t’u shpallur kampion i Evropës.
“Për lojë prapë dua të them që 50-50. Nuk mund ta përcaktojë fituesin se është lojë shumë e vështirë edhe është finale,”, tha Plepolli.
Ndeshja finale e Euro 2020 do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00 në “Wembley”.

Back to top button