Homazhe për Bujar Bukoshin

Në hollin e Kuvendit të Kosovës kanë nisur homazhet për e për ish-kryeministrin e Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, i cili u nda nga jeta të martën më 10 qershor.
Paraprakisht për të ndjerin është mbajtur mbledhje komemorative, në të cilën morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti .
Ai e cilësoi Bukoshin si ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike e historike të viteve ’90.
“Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve të ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar nga rrethanat e asaj periudhe”, tha ai.
Vajza e Bujar Bukoshit, Shota tha se ai ishte mbështetës, i guximshëm dhe me vizion.
“Një nga shërbimet më të vështira që më është dashur t’i bëjë babit tim është kjo që po e bëjë tani, të flas për të në emër të familjes. Një gjë që ai do të ma lehtësonte me siguri me ndonjë shaka. Në emër të familjes ju falënderojmë përzemërsisht për praninë tuaj e për hapësirën për të kujtuar e nderuar babin. Shumë prej jush e njihni atë çfarë babi ka bërë si mjek, si veprimtar politik për lirinë e Kosovës dhe shërbimin e tij si kryeministër i parë i Kosovës. Ne familja e tij natyrisht e njohim Bujar Bukoshin si person publik, por e njohim atë që shumica nuk e njeh, Bujarin si baba, bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë me skajperin e sallës së operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejt dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë”, u shpreh ajo.
Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja nderoi jetën dhe veprën tha se në bisedat me Bukoshin donin një Kosovë ndryshe.