Po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës

 
Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të trajtohen disa pika të mbetura nga seancat a kaluara, për t’i hapur rrugë fillimit të seancës së re.
Pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme janë votimi i raportit me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, shqyrtimi i Raportit me Rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në NP KOSTT Sh.A, si dhe formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër (4) anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Në seancën e re do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar.
Po në këtë seancë, do të bëhet zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe disa raporte vjetore të disa institucioneve, siç është ai i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020, Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020, Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2020, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020 dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2020.
Ndryshe, për deputetët e Kuvendit të Kosovës kjo është seanca e fundit për sesionin pranveror.

Back to top button