Pogradeci, destinacion i veçantë për pushuesit shqiptarë e të huaj

Qetësia, pastërtia dhe klima e veçantë e qytetit të Lasgushit, e kanë bërë prej kohësh Pogradecin një destinacion tejet special jo vetëm për pushuesit shqiptarë, por edhe ata të huaj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përcolli sot përmes rrjeteve sociale opinione të disa pushuesve që kanë zgjedhur Pogradecin për të pushuar.
Kryeministri siguroi se “me investimet e reja që janë në rrugën e jetësimit mbi projekte ambicioze zhvillimi, ky destinacion do të jetë një tjetër pikë e bukur referimi e Shqipërisë 2030”.
Turistë shqiptarë e të huaj të cilët po pushojnë në Pogradec vlerësojnë veçanërisht pastërtinë dhe qetësinë që të ofron ky destinacion turistik.
“Vij nga Tirana, kam gati 1 javë në Pogradec, jam shumë e kënaqur. Uji është shumë i pastër. Këtu ka një pastërti shumë të madhe. Ujë të pijshëm qyteti ka 24 orë. Kam qenë edhe në Lin, shumë bukur me rrugët e rregulluara. Nuk e mendoja se ishte bërë kjo gjë. Më ka surprizuar shumë Pogradeci”, u shpreh një pushuese.
“Vijmë nga Holanda. Na pëlqejnë njerëzit këtu, natyra është e bukur. Në Holandë nuk kemi kaq shumë zona natyrore dhe moti është shumë i ngrohtë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, janë miqësorë”, tha një turist i huaj.
“Pogradeci është dashuri me shikimin e parë, që nuk të lë të largohesh asnjëherë. Ne kemi vite që e frekuentojmë. Na pëlqen ajri, njerëzit, pastërtia, ushqimi tradicional”, tha një tjetër pushuese.
“Qytet i mrekullueshëm, ofron gjithçka. Një liqen i pastër. Kanë investuar këtë vit. Qetësia dhe ajri pastër”, u shpreh një tjetër.
“Pogradeci ka ndryshuar. Të paktën dy vitet e fundit ka ndryshuar mentaliteti dhe mënyra e servirjes së ushqimit. Nuk ka më tym në bulevard, mjegull, apo ndotje akustike. Stina e verës ka jetë nate, ka rini në Pogradec. Qyteti është plot me të rinj edhe pse thuhet se frekuentohet nga moshat e treta”, u shpreh një tjetër.

Back to top button