Policët serbë dorëzojnë armët dhe uniformat e tyre

Policët serbë edhe sot po vazhdojnë t’i dorëzojnë armët dhe uniformat e tyre në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai tha se nuk ka ndonjë risi në këtë aspekt. Sipas tij uniformat dhe armët po dorëzohen nga policët të cilët ditë më parë kanë qenë në pushim apo kanë punuar deri dje por që ndërkohë kanë marrë vendim për dorëheqje.
Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.
Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës./21Media

Back to top button