Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik

Masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, e në veçanti ndaj atyre që nuk posedojnë pajisjet dimërore

Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

“Referuar të reshurave të borës, paraqitjes së vështirësive në trafik, zvogëlimit të dukshmërisë gjatë ngasjes, Policia e Kosovës, kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të kenë një vigjilencë më të shtuar, të mbajnë distancën e nevojshme gjatë ngasjes si dhe t’u përshtatin  kushteve të rrugëve dhe atyre atmosferike shpejtësinë e automjeteve”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Policia ka përsëritur apelin e saj që në këto kushte atmosferike”të kenë kujdes shumë më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, t’iu përshtatin kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që është në interes të sigurisë së tyre dhe të gjithë pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”.

Po ashtu, Policia e Kosovës, ka njoftuar qytetarët dhe opinionin e gjerë, se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, e në veçanti ndaj atyre që nuk posedojnë pajisjet dimërore, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale./21Media

Back to top button