Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin në Ibër-Lepenc, në shtëpi i gjenden armë e municion

Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, të dielën në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike. Këshu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Tutje Policia ka njoftuar se është kontrolluar shtëpia ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale:
• Katër (4) Granata dore
• Një (1) Pushkë Gjuetie
• Mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm
• Dy (2) Karikatorë të armës automatike AK-47
• Një (1) karikatorë i pushkës së gjatë
• Një (1) Radiolidhje
• Një (1) pale dylbi
• Një (1) kamerë kamufluese
• Uniforma ushtarake dhe
• Dokumente të ndryshme
“Policia e Kosovës, pas sulmeve kriminale terroriste të ndodhura në veri të vendit, më 26.11.2024 sulmi ndaj stacionit të policisë në Zveçan, më28.11.2024 sulmi ndaj objektit të komunës në Zveçan, si dhe sulmi i fundit me datën 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit Ibër Lepenci, ka vazhduar me realizmin e detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, duke aplikuar masa shtesë në interes të parandalimit të akteve të tilla kriminale, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim. Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë. Njëherit Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim”, thuhet tutje në njoftim
Paraprakisht, autoritetet kishin njoftuar për arrestimin e tetë të dyshuarve lidhur me sulmin në fshatin Varrangë të Zubin Potokut.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike./21Media