Policia asgjëson mbi 4 mijë bimë kanabis

Policia e Kosovës ka asgjësuar mbi 4 mijë bimë të llojit kanabis sativa në një fshat në Malishevë, si dhe ka arrestuar personin që dyshohet se i ka kultivuar ato.
Në lidhje me rastin është bërë arrestimi i të dyshuarit A.M., ku dhe është kryer një bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e tij.
Gjatë kryerjes së bastisjes në pronat e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar katër fishekë kalibër i panjohur, një kombi me targa vendore dhe preparate që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Po ashtu gjatë kontrollimit të terrenit jashtë shtëpisë së personit të dyshuar, në një parcelë tjetër janë gjetur edhe 928 bimë narkotike të llojit kanabis sativa dhe 624 bimë të vogla narkotike (rasad) po ashtu të llojit të njëjtë.
I arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa bimët e dyshuara janë hequr dhe asgjësuar, si dhe një sasi prej tyre janë marrë për ekzaminim, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./21Media

Back to top button