Policia dhe Prokuroria godasin bixhozin ilegal në Isniq, 13 të ndaluar

Trembëdhjetë persona janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Isniq të komunës së Deçanit, nën dyshimet për përfshirje në bixhoz të kundërligjshëm dhe organizim të skemave piramidale.
Operacioni, i cili është udhëhequr nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është realizuar me bashkëpunimin e njësive relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Gjatë bastisjes, autoritetet kanë sekuestruar rreth 17 mijë euro, një armë zjarri, një shufër metalike, thika si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale të dyshuara.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të parashtrojë kërkesë për masë sigurie ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.