Policia e Kosovës demanton përsëri mediat serbe
Policia e Kosovës demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në një mediumin serb, se kinse në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike, ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe KFOR e ka parandaluar incidentin.
Sipas Policisë, informacionet e tilla kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Një informacion i tillë, i pavërtetë dhe tendencioz ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë. Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe tendencioze”, thuhet në reagimin e Policisë..
Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Edhe mbrëmë Policia e Kosovës ka hedhur poshtë raportimet e mediave serbe se Kosova mund të ketë infiltruar pjesëtarët e ushtrisë në mesin e forcave speciale të Policisë.
Të hënën, autoritetet kosovare nisën me zbatimin e masës së reciprocitetit për targat e veturave që vijën nga Serbia.
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet./21Media
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet./21Media