Policia e Kosovës dërgon pajisje logjistike dhe kontejnerë në Bërnjak

Policia e Kosovës ka filluar ngritjen e një baze në afërsi të pikës kufitare me Serbinë në Bërnjak.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të kuptuar më shumë lidhur me këto veprime. Policia ka deklaruar se po i përmirësojnë kushtet e punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak.
“Referuar nevojës së përmirësimit të kushteve të punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak, të cilët kanë punuar në kushte jo të mira, sot Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do të ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës në vazhdimësi planifikon përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike.
“Këto veprime realizohen përmes njësiteve të ndryshme policore, andaj me qëllim të krijimit të hapësirave dhe kushteve më të mira për punë në ambientet policore, Policia e Kosovës në vazhdimësi planifikon përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike”, ka thënë Policia./21Media
 

Back to top button