Policia e Kosovës jep një sqarim për kontejnerët e vendosur në Bërnjak
Policia e Kosovës ka dhënë një sqarim për Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë në lidhje me dërgimin e kontejnerëve në Bërnjak.
Policia ka theksuar se këto pajisje do t’iu shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe realizimin e detyrave të tyre ligjore.
”Zyrtarët policorë për mbikëqyrje të vijës së gjelbër në këtë zonë, kanë pasur mungesë të hapësirës dhe kushteve të punës, ky dërgim i pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve, do t’iu krijojë hapësira dhe kushte më të mira për punë, do të rrisë efikasitetin në përmbushjen e detyrave dhe parandalimin e kontrabandës. Në vazhdën e luftimit të aktiviteteve kriminale-kontrabandës ditë më parë janë ndërmarrë veprime konkrete në mbyllje të disa rrugëve ilegale që shërbenin për kontrabandë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë veprimet e Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë interpretuar në mënyrë politike-tendencioze duke e shtrembëruar realitetin për kinse veprime me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë, e që në fakt këto veprime janë realizuar për ofrim të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
”Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së përgjithshme”, thuhet në njoftim./21Media